Kukan ikën nga Tirana pa marrëveshje, negociatat vazhdojnë
Më shumë se 7 orë nuk kanë mjaftuar që të finalizojnë një marrëveshje mes dy kampeve politike. Pas takimeve të zhvilluara sot, me kreun e PD-së, Lulzim Basha, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta, eurodeputeti Eduard Kukan është larguar nga Shqipëria pa një rezultat final. Një takim i fundit me kreun e PD-së, Lulzim Basha, duket se nuk ka arritur afrimin e palëve në një marrëveshje.
Rreth orës 15:00 u mblodh grupi parlamentar i Partisë Demokratike i cili nuk ka marrë një vendim për kthimin në Kuvend. Nga sa bëhet e ditur, kreu i PD-së ka njoftuar deputetët se negociatat do të vazhdojnë deri në minutën e fundit.
“Nuk ka finalizim, negociatat do vijojnë dhe nesër me telefon me Fleckenstein. Nuk ka një vendim përfundimtar për negociatat. Deri tani gjërat janë pozitive dhe do njoftojmë për ecurinë “ mësohet t’u ketë thënë deputetëve të PD-së Lulzim Basha.
Eurodeputeti, Eduart Kukan, takoi sot krerët e politikës në Shqipëri në përpjekje për gjetjen e pikave të përbashkëta mes mazhorancës dhe opozitës, në mënyrë që ti jepet fund krizës politike disa mujore.