Kumanova, Bushati: Shkupi në krizë politike, ne nuk ndërhyjmë
Shefi i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati ka kërkuar sërisht nga Shkupi zyrtar të respektojë Marrëveshjen e Ohrit.
Gjatë punimeve të kësaj të enjteje në Kuvend, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, është thirrur në interpelancë nga deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, mbi ngjarjet e Kumanovës.
Deputetja demokrate i konsideroi ngjarjet e ndodhura në Kumanovë si një ndodhi që kërkon hetim ndërkombëtar, pasi edhe sot e kësaj dite, ende nuk dimë shkaqet që çuan në pasjen e asaj përplasjeje të armatosur mes një grupi luftëtarësh nga Kosova dhe forcave speciale të qeverisë së Shkupit. Por Ministri i Jashtëm, Bushati, gjatë raportimit të tij mbi zhvillimet në Maqedoni është shprehur se situata atje karakterizohet nga kriza politike. Ai ka vijuar më tej duke u bërë thirrje forcave qeveritare të Shkupit që të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit, e cila cilësohet si baza e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndëretnik në Maqedoni, madje ka theksuar se zbatimi i saj nuk është aspak bllokadë.
“Procesi i demokratizimit të shoqërisë në Maqedoni është një proces i brendshëm i tyre, ndaj dhe si i tillë nuk mund të ndërhyhet nga jashtë”, theksoi ministri Bushati, i cili më pas bëri të ditur se “Shqipëria është gjithnjë në mbështetje të qëndrueshmërisë politike e sociale në vendin fqinj”.