“Kumanova”, Gruevski: Incidenti kishte qëllim destabilizimin e Maqedonisë
Në të parën dalje të tij për mediat pas luftimeve dy ditore në Kumanovë, Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski deklaroi se policia maqedonase ia doli të shkatërrojë grupin e armatosur që kishte për qëllim destabilitetin e Maqedonisë.
Gruevski tha se se aksioni i djeshëm i policisë ishte ndër më të vështirit që ishte zhvilluar deri më tani, ndërsa shprehu keqardhje për humbjen e jetës së 8 policëve.
“Dje dhe sot pas një përleshje 24 orëshe policia maqedonase arriti të asgjësoj grupin e armatosur. Aksioni i djeshëm ishte një ndër aksionet më të vështira deri më tani. Aksionin e kanë koordinuar dhe udhëhequr profesionistë të MPB-së.
Gjatë aksionit kanë marrë pjesë të gjitha bashkësitë etnike, ata kanë zhvilluar një aksion heroik me ç’rast kanë arritur që të asgjësojnë grupin e armatosur. Për fat të keq 8 policë kanë humbën jetën. Humbëm 8 persona të cilët penguan ndoshta vdekjen e 8 mijë njerëzve”, tha Gruevski.
Gruevski tha se ka vizituar mbrëmë 37 policët e plagosur në operacion, të cilët po marrin mjekim në klinikat e Shkupit.
Ai falenderoi të gjithë përfaqësuesit e policisë të cilët dje dhe sot kanë marrë pjesë në këtë aksion policor, ndërsa garantoi se të gjithë banorët që u janë dëmtuar shtëpitë do të kompensohen.
“Aksioni u zhvillua në teren të banuar me popullatë civile, gjë që vështirësoi edhe më shumë këtë aksion. Personave që dje iu dëmtuan shtëpitë, do tu kompensohet dëmi”, tha Gruevski.
Gruevski konfirmoi se 30 anëtarë të grupit të armatosur i janë dorëzuar organeve policore duke dalë me flamuj të bardhë nga istikamet e tyre.
“Ato do të dalin para gjykatësit dhe do tu gjykohet në bazë të ligjeve të Maqedonisë. Janë gjetur edhe 14 trupa, të cilët duhet të identifikohen. Disa nga personat që dje kanë marrë pjesë në përleshje kanë qenë pjesëmarrës edhe në incidentin e Goshincës. Një nga qëllimet e tyre ishte destabilizimi i Maqedonisë”, deklaroi Nikolla Gruevski.