Ish-kryetari i KQZ: Drafi i PS-së çalon, 3 pikat çojnë në Kuvend deputetë që…
Partia Socialiste ka një draft konkret për listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore. Opozita e quan minim të marrëveshjes së 5 Qershorit dhe vazhdimësinë e një sërë përpjekjesh për të hequr koalicionet. Ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume thotë se drafti i maxhorancës çalon në të tre pikat, për të cilat u sollën propozime.
Përsa i përket listave të hapura, Kume pranon se propozimi i maxhorancës i hap listat por sipas tij formula e zgjedhur çon sërish në parlament kandidatët që subjekti i rendit të parët në listë.
“E bën pothuajse të pamundur garën midis këtyre dy mënyrave të llogaritjes së vajtjes në Kuvend të kandidatëve. Mbetet që kjo mënyrë në qoftë se do të qëndrojë si e tillë, nesër në Kuvendin e Shqipërisë do të kemi vetëm deputetë nga kandidatët që kanë zgjedhur subjekti politik”, tha Kristaq Kume për “Report Tv”.
Ai e konsideron truk edhe mos heqjen e termit koalicion nga propozimet e Gjiknurit. “Është hequr mundësia që subjekt zgjedhor koalicion, pra bashkim i disa partive politike të kenë mundësi që të garojnë si të tilla, të regjistrohen si të tilla në KQZ, duke patur pastaj secila prej këtyre listën e kandidatëve”, u shpreh Kume.