”Kundër protestës së 6 dhjetorit”, Alibeaj: Basha u largua, edhe Berisha duhet të iki
Enkelejd Alibeaj thotë që siç Lulzim Basha iku nga drejtimi i partisë, edhe Sali Berisha duhet të iki nga drejtimi i PD-së së tij.
“Zoti Basha është anëtar i grupit parlamentar të PD-së dhe unë kam komunikim me të si gjithë anëtarët. Basha ka dhënë dorëheqjen me një arsye politike fisnike, besoj unë. Ai tha se po largohet për të hequr problemin në parti. Për të njëjtën arsye duhet të largohej edhe zoti Berisha, por nuk është larguar. Nëse i kthehemi memories, shkaku i pretenduar nga Berisha në atë kohë ishte dualizmi. Basha u dorëhoq që të dorëhiqej edhe zoti Berisha”, tha Alibeaj.
Teksa thotë se nuk do të marrë pjesë në protestën e 6 dhjetorit, thekson se protestat duhet të jenë të tilla që të sjellin një produkt në të mirë të qytetarëve. ”Deputetët kanë mjete të tjera për të qenë më efikas për shqiptarët, me një luftë të sinqertë në Parlament, dhe pasi i kanë ezauruar këto mjete, duhet të nisin protestat. Ka çështje të mëdha ku mund të bëhet luftë e madhe në Parlament”.