“Kur bëhen lojra më gjykatat, imagjinoni çfarë bëjnë me hallexhinjtë këta”
Presidenti Ilir Meta përmendi, gjatë fjalës së tij në konferencë, edhe situatën tek Unaza e Re, teksa tha se “Kur këta bëjnë lojëra me Gjykatën Kushtetuese, mendo se ç’bëjnë me ata hallexhinjtë e Unazës së Re, e me sa e sa probleme të tjera që lindin në Shqipëri”.
Më tej, Kreu i Shtetit tha se ndërtimi i Gjykatës Kushtetuese është një kusht i Bundestagut, ndërsa vlerësoi Marsela Xhaferllarin, të dekretuar sot si gjyqtare të kësaj gjykate, duke thënë se është me CV më të shkëlqyer.
“E kemi kusht ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese nga Bundestagu. Nuk duhej vendosur Presidenti në një pozicion të vështirë, ku nga tre anëtarë, mbetën dy. Presidenti nuk merr përgjegjësitë e Kuvendit, se si veproi Kuvendi. Presidenti merr përgjegjësitë e tij para gjithë qytetarëve. A është një proces perfekt? Jo, nuk është perfekt.
Nëse do ndiqnim një proces perfekt, si vakancë nuk do të ishte plotësuar sot për Gjykatën Kushtetuese, sepse duhet të kishte më shumë emra, dhe jo 4 emra të qarkullonin. Ky është një proces i paracaktuar. Ne e kemi paralajmëruar KED, që mënyra si po e ndiqte procesin ishte e gabuar, janë përdorur standarde të dyfishta. Ne nuk i kemi bërë publike këto gjëra, se nuk kemi dashur të pengojmë procesin.
Veprimet e mia kanë qenë të ligjshme, të përgjegjshme. Është emri me CV më të shkëlqyer nga të gjithë kandidatët që kanë qenë përzgjedhë nga KED. Është një person tërësisht i diskriminuar. Është një person që nga dy persona tërësisht të shfaqur si anëtarë të KED ka marrë vlerësimin zero, ndonëse ka pasur kualifikimin më të lartë për karrierën në gjyqësor. Presidenti nuk merret me asnjë individ”, u shpreh Presidenti.