Kur do të shkojë Berisha në Kuvend? Del vendimi i GJKKO-së, i jepet leja nëse…
Në vendimin e zbardhur që Top Channel e disponon, në të cilin i jepet të drejtë SPAK-ut që nuk e lejon ish-kryeministrin Sali Berisha të marrë pjesë të enjteve në Parlament, gjykata thekson se Sali Berishës nuk i është cenuar funksioni i deputetit si përfaqësues i zgjedhur shqiptarëve.
”Nuk mund të pritet që kjo e drejtë të ushtrohet në mënyrë të njëjtë dhe të barabartë si kolegët e tjerë deputetë, në kushtet kur kërkuesi Sali Berisha, ka marrë edhe cilësinë e të hetuarit në procedimin penal në fjalë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Për më tepër që sipas Gjykatës në ligjin procedural penal, nuk parashikohet mundësia e dhënies së një leje të këtij lloji. Gjykata e posaçme i tha ”JO” Sali Berishës për të shkuar në parlament, por nuk ja ka mbyllur derën plotësisht. Duke i sjellë si shembuj lejen për ish deputetët Mark Frroku dhe Armando Prenga, Gjykata kujton se ata u lejuan të shkojnë në parlament por me raste të veçanta, për të votuar një ligj.
Gjyqtarja Irena Gjoka thotë se Armando Prenga që në 2016 ishte nën arrest shtëpiak, mori leje te veçantë ditën kur u votua reforma në drejtësi. Ndërsa Mark Frrokut nën arrest me burg, ju dha e njëjta leje ditën që u votua Kodi Zgjedhor.
Kërkesa e Berishës konsiderohet e një natyrë tjetër nga SPAK dhe gjykata; përderisa deputeti Berisha kërkon të marrë pjesë në mënyrë të rregullt dhe të pandërprerë “në të gjitha seancat parlamentare, në kushtet që ndodhet me masën e sigurimit personal shtrëngues “arrest në shtëpi”. Ai nuk mund të priste në mënyrë të arsyeshme për të marrë pjesë në ato zgjedhje pa asnjë kufizim, në kushte të barabarta me çdo kandidat tjetër, i cili nuk ka qenë objekt i procedimit penal. Marrë me shkurtime nga TCH