Kurbini e Vora, bashkitë e para që dërgohen në Kolegjin Zgjedhor

Zgjedhjet për Bashkinë e Kurbinit dhe atë të Vorës do të ankimohen në Kolegjin Zgjedhor. E ndërsa LSI ka paralajmëruar se javën e ardhshme do t'i drejtohet Kolegjit në lidhje me shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në Bashkinë e Vorës, të njëjtin qëndrim do të mbajnë edhe demokratët në lidhje me Kurbinin.

Rezultatet e të dy bashkive janë ankimuar në KQZ, ku demokratët kërkuan pavlefshmërinë për Kurbinin, ndërsa LSI për Vorën. Por në të dy rastet KQZ ka vendosur me 4 vota pro, ku vota e Lefterie Luzit ka përcaktuar shumicën njëherë në favor të demokratëve dhe njëherë në favor të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane.

Për Kurbinin, Partia Demokratike mendon se procesi zgjedhor në këtë bashki ishte i paligjshëm ndërsa janë evidentuar shkelje të shumta që nisin që nga vendimi i KQZ për shkarkimin e anëtarëve të KZAZ përkatëse e deri tek puna e KZAZ-së së re e cila ka marrë vendime në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ theksoi se beteja do të vijojë në Kolegjin Zgjedhor, pasi sipas tij, KQZ mbylli sytë para shkeljeve ligjore në këtë proces, pasi sipas tij zgjedhjet nuk u zhvilluan në Kurbin.

Sipas demokratëve edhe KZAZ 15 nuk ka pasur kuorumin e duhur për të marrë vendime pasi një anëtare kishte lidhje familjare me një prej kandidatëve për këshillin bashkiak, ndërsa kryetari i emëruar nga KQZ në këtë KZAZ rezulton të jetë një prej figurave që ishte pjesë e shtabit elektoral të kandidatit të ASHE për Kurbinin.

Nga ana tjetër PD e Kurbinit i është drejtuar prokurorisë së rrethit me një kallëzim për paligjshmërinë e vendimeve të KZAZ 15 si dhe për parregullsitë e procesit duke kërkuar dënimin përkatës për komisionerët që shkelën ligjin zgjedhor gjatë procesit.

Ndërkohë për Vorën, LSI kërkon pavlefshmëri për shkak se diferenca mes dy kandidatëve është më i vogël sesa numri i votuesve fiktivë në këtë bashki. Sipas LSI, më 21 Qershor në Bashkinë e Vorës kanë votuar të paktën 420 shtetas që nuk janë banorë të Vorës, duke pretenduar se këto vota janë përcaktuese në rezultat.

Por ajo që KQZ nuk arriti të bindej nga pretendimet e LSI ishte fakti se përderisa vota është e fshehtë nuk mund të provohet se këta zgjedhës kanë votuar pro kandidatit të opozitës apo një force të caktuar politike.

Në këtë mënyrë i takon Kolegjit Zgjedhor për të vendosur në lidhje me zgjedhjet në dy bashkitë, atë të Kurbinit dhe Vorës.

SHKARKO APP