Kurti: Republika e Kosovës është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor
Teksa akuzon se synimet e huaja janë për destablizim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se multi-milionerët si Milan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviq kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme.
Në një videomesazh, Kurti thotë se orëve të fundit, institucionet kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët.
Mesazhi i plotë i kryeministrit Albin Kurti:
Të dashur qytetarë, Kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ultë në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe detyruar mbi serbët e Kosovës, megjithatë janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve. Prandaj, ata kanë mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë. Demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim.
Republika e Kosovës është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Me institucione qeverisëse dhe të sigurisë të cilat trajnimet profesionale dhe orientimin vleror e kanë nga dhe kah shoqëritë perëndimore. E dje, na u dëshmua përfundimisht dhe të gjithëve, se kë kemi përballë: grupe të së djathtës ekstreme me maska, që vandalizojnë, sulmojnë, djegin çdo gjë që nuk e konsiderojnë serbe, e që lartësojnë simbole nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi me katër S-ja dhe Z-ja e agresionit rus në Ukrainë.
Ekstremistët dhe milicët kanë emra të veçantë. Ata nuk janë populli. Komuniteti serb duhet të çlirohet prej tyre. Ne i kemi identifikuar shumicën e tyre dje dhe sot. Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti. Të tillë janë kriminelët multi-milionerë si Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq. Ata janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme. Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq.
Unë e di të dashur qytetarë që në grumbullimet dje dhe sot ka pasur edhe protestues paqësor. Por protestat dje e sot nuk ishin paqësore. Një protestë që sulmon policinë e cila e ruan rendin dhe zbaton ligjin, pjesëtarët e KFOR-it që e ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, dhe gazetarët të cilët raportojnë mbi ngjarjet nga terreni, nuk janë protestë për komunën, por për pushtet. Në Kosovë, pushteti mund të merret vetëm përmes zgjedhjeve.
Jo me dhunë dhe krim.
Policia jonë dhe KFOR-i atje janë kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore. Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta.
Dhjetëra të lënduarve ju dëshiroj shërim të plotë dhe të shpejtë. Falënderoj kryetarët e komunave që përkundër vështirësive kanë shfaqur vullnetin e sinqertë për t’u shërbyer qytetarëve i cili dëshmohet edhe në këto situata. Falënderoj policët e Kosovës, që përkundër tensioneve dhe sulmeve, kanë kryer detyrat e tyre me profesionalizmin më të lartë. Falënderoj pjesëtarët e KFOR-it që përkundër synimeve të huaja për destablizim, po ruajnë paqen dhe sigurinë. Falënderoj gazetarët dhe mediat që përkundër rreziqeve dhe pasigurisë, na sollën me zë dhe figurë fytyrën e vërtetë të protestave të milicëve të dhunshëm. Dhe falënderoj veçanërisht qytetarët e Republikës për mirëbesimin dhe mbështetjen.