Kurti: Nuk heqim taksën 100% me Serbinë, pa vendosur parimin e reciprocitetit
Qeveria e formuar nga Lëvizja Vetëvendosja nuk do ta heqë taksën 100% ndaj mallrave serbë. Kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti tha për emisionin “360 gradë” në RTV Ora se taksa do të hiqet vetëm kur të vendoset reciprociteti i plotë politike, ekonomik e tregtar.
“Qeveria jonë nuk do heqë tarifën 100% pa e vendosur reciprocitetin e plotë. Më 7 dhjetor 2011 është miratuar rezoluta në Kuvend, ne kemi qenë në opozitë për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. Asnjë qeveri nuk e ka zbatuar këtë rezolutë. Kjo do të jetë qeveria e parë që e zbaton. Pra reciprocitet i plotë me Serbinë.
Ne vendosim reciprocitetin si parim tonin, njoftojmë faktorët ndërkombëtarë për këtë gjë dhe presim që në Serbi të vlejnë diplomat e Universitetit të Prishtinës, Bujanovac, Preshevë, Medvegj. Presim që në Serbi të pranohet patenta e shoferit të Kosovës, në Serbi të pranohet certifikata e prodhimit të mallit në Kosovë, në Serbi të pranohen targat e automjeteve me Republikën e Kosovës, sepse me të Republikës së Serbisë mund të hyjnë etj.
Këtë gjë mund ta kemi, mund të mos e njohim asnjëra dhe ky është reciprocitet në fund të fundit. LVV do ta heqë tarifën 100% ndaj Serbisë duke zëvendësuar me parimin e reciprocitet të plotë politike, ekonomik e tregtar. Ne e zëvendësojmë tarifën me reciprocitetin”, deklaroi Albin Kurti.