Kush do ”digjet” në shtator? Çëshjet e nxehta janë: Dekretimi i qeverisë, Berisha dhe deputetët e inkriminuar
Nga: Redjon Shtylla
Data kur nis punën Kuvendi i ri, i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit po afron edhe pse duhet pak më shumë se 1 muaj. Betimi i qeverisë së re ”Rama 3” te Presidenti Ilir Meta është një çështje e madhe, pasi para zgjedhjeve të 25 prillit, por edhe më herët, kreu i shtetit e ka bërë të qartë se nuk dekreton asnjë qeveri që i ka fituar zgjedhjet në mënyrë aspak të pastër dhe jo demokratike. Deri më tani nuk ka asnjë qëndrim zyrtar për këtë pjesë.
Shtatori do të përballë edhe njëherë mazhorancën me Metën, i shkarkuar si President më 9 qershor nga shumica në Parlament. Por vendimin final do ta japë Gjykata Kushtetuese, kjo e fundit nuk ka planifikuar ende një datë për shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit. Nisur nga kalendari publik, Gjykata Kushtetuese do të rifillojë punën më 28 shtator. Ilir Meta do jetë në detyrë në muajin shtator, kur pritet edhe formimi i qeverisë së re dhe dekretimi i saj nga Presidenti.
Presidenti ka kthyer shumë ligje të maxhorancës, pasi në Kuvend prej dy vitesh mungoi opozita dhe me të drejtë janë kthyer, pasi kanë qenë ligje që mbështesnin një palë dhe dëmtonin shumicën e shqiptarëve.
Një tjetër pikë e rëndësishme, më së shumti për fatin e Partisë Demokratike, është qëndrimi që do të mbajë për çështjen ”Sali Berisha”, pasi SHBA-ja nuk e do në Kuvend, dhe këtë e ka përsëritur disa herë ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim. Mes saj dhe Berishës ka nisur një ”duel”, pasi ish-kryeministri vijon të deklarojë që do të ulet si deputet në shtator dhe sulmet ndaj ambasadores nuk i ka kursyer. Lulzim Basha vijon të mos mbajë një qëndrim për këtë përplasje Berisha-SHBA.
Në shtator do të shihet edhe nëse PS dhe PD do të pastrojnë listat e kandidatëve që kanë fituar mandatin e deputetit, siç SHBA-ja e kërkon. Qëndrimi i përsëritur nga Yuri Kim është që në Kuvend nuk duhet që të ulen persona që kanë probleme me ligjin. ”Do të kërkojë që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në Parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre”.
Ky është mesazhi që la Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim në këto ditë të nxehta, kur politika është me pushime. SHBA prej kohësh ka bërë thirrje për pastrim të politikës nga persona që kanë probleme me ligjin. Shpallja ”Non-Grata” nga SHBA-ja është një sinjal i drejtëpërdrejtë që këta individë nuk duhet më të jenë në Kuvendin e Shqipërisë.
Shtatori pritet të jetë një ”bombë” e vërtetë, se kush do të digjet, kjo mbetet për tu parë. Deri atëherë, politikanët po shijojnë rrezet e nxehta të gushtit, si një parapërgatitje për shtatorin.