Kush e kontrollon Reformën në Drejtësi? Elisabeta Imeraj: Se di për momentin, pasi duhen bërë hetime

Kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj u shkarkua nga KPA-ja disa ditë më parë, dhe sonte ajo thotë se e ka provuar në kurriz, që Reforma në Drejtësi është e padrejtë. E pyetur se kush e kontrollon këtë reformë, ajo shprehet se për momentin nuk e di, pasi duhen bërë hetime. ”Që kjo reformë është e padrejtë e kam provuar në kurriz, për të kontrolluar nuk di të ta them për momentin se duhen bërë hetime. Kush e kontrollon procesin, politika apo të huajt? Këtë nuk di ta them sepse po të jetë e vërtetë na kthen shumë prapa, më prapa se në vitin 2004 kur unë kam nisur nga puna”,-tha e ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV.

Pjesë nga biseda:

Ylli Rakipi: A keni patur dyshime që procesi është i kontrolluar dhe i padrejtë? Ju tani jeni shkarkuar dhe ne duam të mësojmë më shumë. Konkluzioni juaj, kemi reformë të kontrolluar dhe të padrejtë?

Elisabeta Imeraj: Unë kam qenë edhe si prokuror njeri i lirë dhe besoj kjo është arsye përse nuk jam më. Nuk dal dot në konkluzione direkte për reformën. Ndaj e ndava nga procesi im. Edhe para shkarkimit tim ka patur raste që jo vetëm unë, por anëtarë të komunitetit tonë kanë mbetur të çuditur nga vendimarrjet. Zoti Vangjeli përmendi zotin Martini, edhe ai është malok prej Tropoje. Sot prokuroria e Tiranës nga 80 prokurorë që duhet të ketë ka 40 e ca prokurorë, duke mos përballuar dot ngarkesën e punës.

Ylli Rakipi: Por, kolegët tuaj që shkarkohen nuk e ngrenë zërin. Janë të korruptuar apo kanë frikë?

Elisabeta Imeraj: Unë si karakter dhe si prokuror, gjatë 17 viteve në detyrë, kam tentuar të jem e guximshme, në hetim pa parë se kush janë personat që kam përballë. E parë në këtë këndvështrim edhe beteja ime ligjore kishte të njëjtin trajtim. Isha përballë një trupe, pas një hetimit administrativ. Po me të njëjtin intensitet që kam përfaqësuar akuzën, kam mbrojtur kauzën time dhe të drejtat e mia në proces Vetting-u. Di edhe raste të prokurorëve që kanë qarë përpara Vetting-ut dhe kanë kaluar.

SHKARKO APP