Kush është pasuesi i Angela Merkel, Kancelari i ri gjerman Olaf Scholz

Nga DW

Kush është kancelari i ri i Gjermanisë? Emërimi i tij si kandidat për kancelar 13 muaj para zgjedhjeve qe surprizë. Scholz i solli SPD një fitore të papritur, me parimin “asnjë fjalë e tepërt”.

Olaf Scholz u zgjodh kancelar i nëntë i Republikës Federale të Gjermanisë. Në mesditë ai bëri betimin si kancelar në Bundestag, para Presidentes së Bundestagut, Bärbel Bass. Më parë, Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier i pati dorëzuar atij në Pallatin Bellevue dokumentin e emërimit. Me këtë pushteti qeveritar kaloi nga kancelarja aktuale Angela Merkel (SPD) te pasardhësi i saj, në përputhje me dispozitat e Ligjit Themelor, kushtetutës së Gjermanisë.

Në një votim të fshehtë në Bundestag, 395 nga 707 votat e dhëna i mori Olaf Scholz. Pati 303 vota kundër dhe gjashtë abstenime. Për zgjedhjen e socialdemokratit nevojiteshin 369 vota. SPD, të Gjelbrit dhe FDP, të cilat formojnë koalicionin e parë të tipit “semafor ” në nivel federal, së bashku kanë 416 mandate në Parlament, ose 47 mandate më shumë se ajo që quhet shumica e kancelarit.

Po kush është kancelari i ri i Gjermanisë?

Një fjali tregon në mënyrë shembullore, se si vepron Olaf Scholz me krizat: Ngrihu, vazhdo përpara dhe mos dysho kurrë për veten. 63-vjeçari është i bekuar me një vetëbesim të patundur. Në karrierën e tij të gjatë politike, ai ka përjetuar mjaft tronditje, asnjëra prej tyre nuk ka mundur ta largojë atë nga rruga në plan afatgjatë.

Konkret dhe pragmatik

“Ne do të shfrytëzojmë çdo mjet, që kemi në dispozicion dhe të sigurohemi që do të mund t’i kalojmë këto kohë të vështira me të gjitha mundësitë tona ekonomike dhe të kujdesemi të dalim nga situata”, me këto fjalë u është drejtuar ai qytetarëve.

Nga qytetarët kjo pritet mirë. Por në kohë krize kërkohet më shumë pragmatizmi se sa karizma. Kjo është diçka që Scholz nuk e ka. Të tregojë emocione, është e huaj për të. Edhe në momentet e gëzimit më të madh, ai shfaq përmbajtjen e një butleri britanik.

Me joshën e një makine

Për shumë vite atë e ndoqi nofka “Scholzomat”, një lojë fjalësh e përbërë nga “Scholz” dhe “automat”.

Gazeta e përjavshme “Die Zeit” e krijoi termin në 2003, sepse Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i SPD, Olaf Scholz, gjithmonë dukej si një makinë, kur shfaqej në publik. Kur e pyesnin Scholzin, ai përgjigjej vetëm me formula teknokratike, të cilat i përsëriste vazhdimisht.

Në atë kohë ishte fjala për reformën e diskutueshme të tregut të punës Agjenda 2010, e cila solli shkurtime të forta. Pati shumë rezistencë ndaj zbatimit të saj, edhe në SPD. Scholz thotë, se nuk ishte orientimi i tij, por për të qenë “absolutisht besnik” ndaj kancelarit, kreut të SPD Gerhard Schröder dhe SPD-së. Ai thotë se “ishte ndjerë me të vërtetë si oficer”.

Në fund jo vetëm që përpjekja e shpëtimit shkoi huq, dhe si pasojë SPD humbi dhe postin e kancelarit e mori CDU, por Olaf Scholzit iu vesh edhe një imazh, të cilin ai nuk mundi ta heqë qafe për një kohë të gjatë: Që nga ajo kohë juristi shihej në publik si një burokrat i mërzitshëm, që prish humorin.

SPD nuk e ka pasur kurrë të lehtë me pragmatistin introvert nga Hamburgu, i cili gjithmonë flet vetëm aq sa është absolutisht e nevojshme. Kur kandidonte për postet partiake, Scholz zakonisht merrte rezultatet më të këqija.

Megjithatë ai arriti të ngjitet në shkallët e karrierës politike. Pa zhurmë dhe me efektivitet.

Scholz ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i SPD, ministër i Punës, senator i brendshëm, dhe kryebashkiak i Hamburgut, para se të kalonte në kabinetin e Angela Merkel në 2018.

Pak spektakël duhet

Edhe nëse Olaf Scholz llogaritet i krahut konservator, kategoritë politike si e djathta ose e majta duket se nuk mund të aplikohen në rastin e tij. Si nënkryetar i organizatës rinore SPD, Jusos, ai përfaqësonte teza radikale socialiste, kritike ndaj kapitalizmit.

Por mes anëtarësimit në SPD si nxënës shkolle në 1975 dhe zgjedhjes së tij në Bundestag në 1998, Scholz-i mësoi shumë për mënyrën sesi funksionon biznesi dhe sipërmarrja e pavarur, duke punuar si avokat i specializuar për ligjin e punës, në firmën e tij në Hamburg. Kjo e formësoi atë.

Tani vonë Olaf Scholz ka mësuar se në politikë ka rëndësi të vësh veten dhe mesazhin tënd në qendër të vëmendjes dhe ta shesësh mirë. Ai tani duket më emocional, më i afërt dhe, mbi të gjitha, më miqësor.

SHKARKO APP