Kush humbi dhe kush fitoi brenda dhe jashtë Partisë Demokratike?
Nga Artan Fuga
Pas ngjarjeve, dy kuv endeve paralele dhe një referendumi për shkarkimin e z. Lulzim Basha, duket se Partia Demokratike ndodhet e ndarë në dy pjesë. Nëse nuk është baza e partisë aq sa të shihet qartë, forumet kryesore të saj, kuvendi kombëtar, këshilli kombëtar dhe grupi i deputetëve janë tashmë të ndarë. Unë këtu nuk i hyj problemit se kush ka shumicën, çka jo vetëm që del përtej interesimit tim, por edhe nuk më duket e rëndësishme hëpërhë. Por pyetja mbetet: Kush fitoi dhe çfarë fitoi në këtë “përleshje” politike, kush humbi dhe çfarë humbi në këtë konflikt politik që nisi pas z. Lulzim Basha e nxori zotin Sali Berisha jashtë grupit të deputetëve demokratë në Kuvendin e Shqipërisë, sipas kërkesës të ambasadores amerikane në Tiranë.
Le t’i shohim faktorët politikë me radhë.
1. Çfarë humbi Partia Demokratike e parashpalljes non grata e z. Sali Berisha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Partia Demokratike u përça. Midis pjesëtarëve të forumeve të larta të partisë ka hyrë konflikti. Ai ka shkuar aq larg sa nuk mundet më të shpresohet se hendeku do të mbyllet. Përtej përçarjes politike, është edhe përçarja simbolike, kjo e fundit edhe më e egër dhe më e pamëshirshme. Një palë e quan palën tjetër antiamerikane, enveriste, kurse pala tjetër e quan të parën si shërbëtore e pushtetit të Edi Ramës dhe z. Lulzim Basha si i marrë peng prej tij.
Fuqia elektorale e Partisë Demokratike të para 25 prillit është dobësuar duke imagjinuar që është përgjysmuar, duke u ndarë në dy gjysma, të cilat bëjnë që nesër pasnesër në fushatë elektorale dhe për zgjedhjet e ardhshme elektorati të ndahet në dy gjysma, çka të ulë numrin e deputetëve të dalë apo të zvogëlojë shanset për të marrë kryetarë bashkish në qytetet e mëdha e të rëndësishme të vendit.
Ky është fati i partive me prirje autoritariste. Kur menjëherë pas 25 prillit theksova, duke i kërkuar publikisht lidershipit demokrat, që Partia Demokratike duhet të demokratizohet se përndryshe do të ndodhej para katastrofës, nuk dija asgjë se çfarë do të ndodhte pak javë më pas, shpallja non grata e z. Sali Berisha. Por, e dija se një parti e dalë e humbur nga zgjedhjet, me një kryetar dhe një kryesi që për këtë shkak nuk jepte dorëheqje, nuk mund të gjente energji për të kërcyer krizën që do të vinte në mos tani, pak më vonë. Kuptoja demokratët e bazës që nuk kishin më asnjë besim te lidershipi i partisë së tyre.
Pra, Partia Demokratike e para 25 prillit humbi rëndë nga kjo përçarje. Në mënyrë krejt qesharake dhe paradoksale, në vend që të festonte ardhjen në pushtet, feston njëra gjysmë shkatërrimin e tjetrës. Kjo ndodhi, e theksoj, sepse z. Lulzim Basha, për arsyet që i di ai nuk pati as fuqinë, as energjinë, as vullnetin për ta demokratizuar partinë demokratike.
2. Çfarë humbi pjesa e Partisë Demokratike e z. Lulzim Basha dhe çfarë fitoi ajo pas 18 dhjetorit?
Ka humbur një pjesë shumë të konsiderueshme të elektoratit çka u shpreh edhe në shifrat e referendumit dhe në pjesëmarrjen në të. Ka humbur një grup të konsiderueshëm deputetësh dhe ka më pak fuqi parlamentare sesa më parë. I kanë ikur figura të rëndësishme të saj që kishin rol në këshillin kombëtar. Mbi të gjitha, z. Lulzim Basha ka humbur legjitimitetin e mëparshëm e marrë si dhuratë nga lideri karizmatik dhe tani i duhet të krijojë një legjitimitet tjetër personal. A do të ketë fuqi ta krijojë, kur në ligjërimin e tij, e quan partinë demokratike qysh në lindjen e saj si vepër e partisë së punës dhe anatemon të gjithë qeverisjen demokrate? Por, a mund të mos e bëjë? Si demokrat i duhet ta mbrojë të shkuarën demokrate, por si kundërshtar i liderit karizmatik demokrat i duhet ta hedhë në kosh historinë e kaluar demokrate? Si do t’ia bëjë, ai e di!!!
Partia Demokratike e z. Lulzim Basha, sikurse tenton të quhet, ka humbur peshën politike në Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk do të jetë zëri i vetëm i opozitës, plot edhe me të tjera speca djegës që do t’i duhet të gëlltisë në Kuvend. Presidenti i Republikës në vitin e ardhshëm duhet të negociohet edhe me grupin e deputetëve, me liderin z. Sali Berisha. Kurse po qe se do të shpalleshin zgjedhjet për pushtetin vendor, duhet të llogarisë që ka humbur dhjetëra mijëra vota që do të kenë përcaktim në krye të bashkive.
Shumica në Kuvend në njëfarë kuptimi do ta ketë më të lehtë tanimë me dy opozita të përçara dhe me strategji dhe qëndrime të ndryshme politike, sesa me një opozitë të unifikuar si deri tani.
Deputetët aktualë që ndjekin zotin Lulzim Basha sigurisht gëzojnë pushtetin parlamentar që jep karrigia e deputetit. Por, nëse për një arsye a një tjetër bëhen zgjedhjet e tjera, secili prej atyre deputetëve ka dy herë, së paku, më pak shanse për t’u rizgjedhur deputet sesa më parë.
Mund të thuhet se kjo pjesë e Partisë Demokratike ka fituar sepse është çliruar nga pesha e z. Sali Berisha. Por, kjo është një “fitore” pa vlerë, sepse drejtuesi karizmatik i Partisë Demokratike tashmë ishte në ikje e sipër dhe nuk kishte asnjë dëshirë dhe mundësi të rikthehej në jetën politike. Më mirë të ishte në shuarje politike të ngadaltë apo të jetë përballë i “ringjallur” politikisht!?
Pra, sloganet dhe thirrjet se fituam sepse bëmë gjoja kuvendin e 18 dhjetorit, janë krejtësisht pa vlerë reale sepse humbjet e pësuara e bëjnë atë Kuvend si fitoret e Pirros së Epirit! Humbjet janë aq të pallogaritshme saqë çdo thirrje për fitore është qesharake! Unë nuk e di nëse nesër do të kishte zgjedhje, a do të mundej ky grupim të nxirrte edhe një deputet të vetëm! Nuk jam i sigurt!
3. Çfarë humbi dhe çfarë fitoi grupimi i Partisë Demokratike i drejtuar nga z. Sali Berisha?
Deputetët që kanë shkuar me këtë grupim, shumica e tyre, kanë rritur shanset për të qenë kandidatë për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Edhe ata kanë një elektorat të reduktuar, sikurse edhe grupi i z. Lulzim Basha, por në Partinë Demokratike para përçarjes ata gjykonin se nuk do të kishin më të ardhme politike. Lulzim Basha do t’i “qëronte” ata sikurse bëri me ish-drejtues të tjerë të Partisë Demokratike më parë. Madje, ata nuk duronin dot që ishin kthyer në figura krejt të dorës së dytë a të tretë në parti, të injoruar nga kryetari, i cili po merrte kompetenca të centralizuara. Ata shihnin me mospranim edhe faktin që ish-kryetari i tyre dilte gjithmonë humbës në betejën me z. Edi Rama.
Ky grupim investonte politikisht, por të gjitha rezultatet shkonin në favor të lidershipit të ish-Partisë Demokratike para përçarjes.
Vetë z. Sali Berisha humbi shumë me shpalljen non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu pësoi edhe goditjen brinjazi nga ana e z. Lulzim Basha, të cilin e solli në parti me katapultë dhe i shërbente në mënyrë paternaliste si një mburojë. Madje, edhe në kongresin paszgjedhor, ndonëse Partia Demokratike si pasojë e një strategjie krejt të dështuar humbi zgjedhjet, z. Sali Berisha nuk u ndje, por e rizgjodhi kryetar z. Lulzim Basha me një rezultat stalinist.
Por, nga e gjitha kjo përçarje, z. Sali Berisha, në fund fitoi. Nga një deputet i vetmuar pa ndonjë rol në fund të sallës të Kuvendit, tani ai, sido që të jetë, paraqitet me një fuqi të re, me grup të ri deputetësh, madje edhe potencialisht në aleancë me deputetë dhe jashtë grupit të deputetëve demokratë. Do apo nuk do Rama apo Basha, Berisha është rikthyer në jetën parlamentare si kontribuues i rëndësishëm, ndërkohë që ishte thjesht një zë në shkretëtirë dhe i vetmuar.
Elektorati i gjerë demokrat nuk kishte se çfarë të humbte më shumë se çfarë kishte humbur. Ai ishte krejt i papërfaqësuar politikisht. Luga bosh se do të fitojmë zgjedhjet e ardhshme nuk e ngopte fare. Vërtet humbi Partinë Demokratike monolitike, por çfarë i duhej ajo parti kur vetëm i kërkonte sakrifica dhe nuk i jepte asgjë?
Nxori edhe mllefin ndaj lidershipit demokrat z. Lulzim Basha, që prej kohësh e shihte me dyshim.
Tanimë edhe në zgjedhjet e ardhshme, ka shumë mundësi të ketë zë më shumë, meqë z. Sali Berisha ka qenë i detyruar t’i lëshojë pé masës demokrate duke u premtuar pa kthim që do të jenë militantët që do caktojnë deputetët, kandidatët për kryetarë bashkie, ministra, kryeministra etj. Nuk është pak. Ata e dinë se kjo e drejtë e mohuar prej dekadash, tanimë është e siguruar.
4. Çfarë humbi Partia Socialiste dhe Edi Rama dhe çfarë fituan?
Duket se elektoralisht ka fituar sepse me elektorat demokrat të përçarë e ka më të lehtë, i duket, të nxjerrë më shumë deputetë. Mbi të gjitha, tani ka formulën për t’u ndeshur me dy grupimet demokratike të përçara. Grupimin e z. Lulzim Basha e josh për bashkëpunim dhe bashkëqeverisje dhe me këtë e diskrediton në sytë e elektoratit demokrat. Kurse grupimin e z. Sali Berisha e konsideron “revolucionar”, pra, “ekstremist”, duke u paraqitur si e vetme forcë politike e ekuilibruar.
Por, në fakt, edhe e majta në Kuvend do të njohë pasojat e dëmshme për të nga kjo që ka ndodhur. Edi Rama humbi kontrollin mbi opozitën sepse faktet janë që në fund të fundit, ai arrinte që në negociata me z. Lulzim Basha ta mposhte këtë të fundit, dhe ky me hir a me pahir të pranonte gjithçka që i imponohej nga Kryeministri i tij. Tani do të përballet me opozitën e fortë të z. Sali Berisha, i cili është i detyruar të diferencohet nga parlamentarizmi à la Basha, dhe t’u drejtohet shesheve dhe protestave masive. Nëse nuk e bën këtë, atëherë elektorati që mbështeti foltoren do të ketë të drejtë të pyesë: Ku është ndryshimi në strategjitë politike të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës? Zoti Sali Berisha dhe grupimi i tij janë të detyruar, pra, të kalojnë në sheshet publike opozitarizmin e tyre, si edhe të demokratizojnë partinë sipas premtimeve në foltore. Përndryshe, z. Lulzim Basha është aty për t’i thënë elektoratit: E, mo, e patë?
Edi Rama do ta humbasë qetësinë e sundimit të rehatshëm sepse nga njëra anë do të ketë përballë grupimin e Sali Berishës që ishte vënë në gjumë nga Lulzim Basha, nga ana tjetër do të ketë përballë Lulzim Bashën, që pasi plotësoi kushtet amerikane, tani do të fillojë të kërkojë shpërblimin politik për të qeverisur ai dhe jo Edi Rama.
Formula e tashme e sundimit të z. Edi Rama ka përfunduar vlefshmërinë në 18 dhjetor. Nëse në 1 janar nuk përpunon dot një formulë të re, për shumë pak kohë do të ndihen lëkundje sizmike në politikë, nga jashtë dhe nga brenda.
5. Çfarë fitoi dhe humbi elektorati demokrat dhe qytetari? Janë këta që fituan në gjithçka nga kjo çarje që i dha fund një drejtim të fjetur, të rehatshëm, hipokrit politikisht të partisë demokratike. Elektorati demokratik i kërkon tashmë Bashës ta dëgjojë se përndryshe i thotë: Vajta te Berisha! I thotë Berishës, mbaj premtimet se përndryshe: Vajta te Basha!
Dhe ne si qytetarë tanimë nuk do të kemi një opozitë oligarkie, pra, të monopolizuar, por një rivalitet brenda opozitës që është shansi që kjo opozitë të përfaqësojë dëshirën tonë për demokraci, deri tani të tradhtuar rëndë!
Pas 25 prillit kisha kërkuar fort që Partia Demokratike të pranonte fraksionet brenda saj. Po ku dëgjonte njeri në atë parti!!! Symbyllur dhe veshëtaposur! Dhe, ja, jeta e solli që pikërisht ajo ndodhi. Dy fraksione të ndara në mënyrë më të ashpër. Le të përleshen me njëri-tjetrin! Nëse njeri nuk fiton dot, punë e madhe. Për ne si qytetarë, për militantët demokratë, ka tani më shumë zgjedhje, dhe një opozitë që më në fund ka shanse pas gjumit të pështirë dhjetëvjeçar, të zgjohet. Kush nuk zgjohet, në dreq vaftë!
Kështu e shoh unë situatën. Nëse konteksti ndryshon, edhe ne reflektojmë përsëri. Gjithçka ndodh! Gjithsesi shpulla e ardhur nga kontinenti tjetër, për cilëndo arsye të ketë ndodhur, na ka shërbyer shumë. Sikurse po del i ka shërbyer deri tani edhe z. Basha që thotë se u bë lider, edhe zotit Berisha që deklaron se është kthyer për të rivendosur opozitën e vërtetë atje ku duhet!
Madje, edhe aleatët tanë fituan shumë sepse tani Edi Rama nuk mund të paraqitet si i vetmi i zgjedhur i përtejoqeanit, Lulzim Basha pretendon se edhe ai i ka plotësuar kushtet për të qenë i zgjedhuri i tyre!!! Konkurrenca midis tyre e ul vlerën e çmimit politik të secilit prej tyre. Dhe nëse ata nuk janë në nivelin e kërkuar, nga pas kanë hostenin e Sali Berishës që vjen bashkë me jehonat e mërmërimës popullore të pakënaqur!