Kuvendi diskuton heqjen e mandatit të deputetit Kokëdhima
Kuvendi po shqyrton sot kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për mbarimin e mandatit të deputetit socialist, Koço Kokëdhima. Opozita pretendon se deputeti socialist ka përfituar fonde publike, nëpërmjet kompanisë Abissnet, edhe pasi është bërë deputet i Kuvendit, dhe kjo është në papajtueshmëri me nenet e Kushtetutës dhe ligjin “për konfliktin e interesave”.
Seancës së sotme iu prezantuan dy raporte të veçanta për këtë çështje, ku shprehen qëndrimet e ndryshme të përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve.
Në emër të deputetëve të shumicës në Këshill, Vasilika Hysi lexoi raportin përkatës, duke u shprehur për rrëzimin e kërkesës së opozitës dhe kalimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese.
“Opozita në kërkesën e saj pretendon se deputeti Kokëdhima, përmes kompanisë Abissnet, ka kryer transaksione, pasi ka marrë mandatin e deputetit, në 150 raste dhe kjo sipas saj, është antikushtetuese. Ndaj opozita pretendon se për këtë çështje duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese”, tha Hysi.
Por, vijoi ajo, referuar mbrojtjes që bëri në Këshill avokati i z. Kokëdhima, kërkesa e grupit të PD-së nuk ka bazë ligjore e kushtetuese. “Kokëdhima nuk ka lidhur asnjë kontratë pasi është shpallur deputet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe se kontratat e lidhura prej tij datojnë shumë kohë më parë”, tha Hysi.
Më pas, seanca vijoi me paraqitjen e raportit për këtë çështje nga ana e përfaqësuesve të PD-së. Në emër të grupit demokrat, deputeti Arben Ristani tha se deputeti Kokëdhima ka realizuar veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit, ndësa ka qënë i veshur me mandatin e deputetit. “Bazuar në analizën e dispozitave kushtetuese e ligjore arrijmë në përfundimin se Kokëdhima ka qënë në kushtet e papajtueshmërisë, e parashikuar në nenin 70/2 dhe 70/3 të Kushtetutës dhe nenit 28, pika ‘a’ te ligjit ‘për konfliktin e interesave”. 150 transaksione kanë dalë nga buxheti i shtetit për Koço Kokëdhimën”, u shpreh deputeti Ristani. Ai shprehu qëndrimin e opozitës që kërkesa e grupit të PD-së t’i nënshtrohet shqyrtimit dhe vendimmarrjes ne Gjykate Kushtetuese.