Kuvendi i pranon kërkesat, PD-ja nuk do bllokojë Parlamentin
Konferenca e Kryetarëve ka pranuar sot futjen në rendin e ditës së kërkesave të Partisë Demokratike, në lidhje me amendimet e dekriminalizimit dhe ligjin për komisionet hetimore.
Teksa kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në nisje të seancës plenare e njoftoi publikisht vendimin e Konferencës së Kryetarëve.
Nga ana e tij, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, tha se prej dy javësh opozita ka nisur një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin, jo për tekën e saj, porse sipas tij, kryeministri i vendit filloi paradën e të inkriminuarve “dhe njërin prej tyre, Armando Prengën, na e riktheu në parlament”.
“Ne nuk do ta bllokojmë këtë Parlament, do të marrim pjesë në votimin e akteve tona, po nuk do të jemi sot në sallë derisa kjo mazhorancë të reflektojë dhe t’i kthejë legjitimitetin kësaj salle dhe këtij Parlamenti”, tha gjithashtu kreu i grupit parlamentar të PD-së.
“Kemi përmbysjen totale të marrëveshjes së dhjetorit 2014. Në këto kushte amendamentet tona nuk kanë asnjë synim tjetër veçse rikthimin e legjitimitetit në parlament. Parlamenti duhet të tregojë qartazi që ka vullnetin të zbatojë ligjet që miraton vetë, por dhe parimet mbi të cilat ngrihet ky parlament. Dekriminalizim pa vullnet politik nuk ka”, vijoi më tej Paloka.
Në përgjigje të tij, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi tha se mazhoranca ka qënë luajale në zbatimin e marrëveshjes së dhjetorit 2014.
“Lidhur me marrëveshje politike ne jemi treguar shumë luajal që në fillim. Jemi treguar shumë seriozë në zbatimin e tyre, prandaj dhe kjo nuk është shkak por është një sebep. Ne nuk jemi këtu as tu bëjmë axhendën politike dhe as të zbatojmë axhendën tuaj. Nuk jemi këtui të ëprcaktojëm kush është kauza juaj”, tha Ruçi.
KOHA JONË SONDAZH

