Kuvendi i Shqipërisë nderon viktimat e Holokaustit (FOTO)
Nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta u zhvillua në ambientet e Sallës së Seancave Plenare një ceremoni përkujtimore për viktimat e Holokaustit dhe një ekspozitë fotografike në kuadër të “Ditës së Kujtesës”, ku mori pjesë dhe ambasadori i Shtetit të Izraelit në Shqipëri, , z. David Cohen.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe anëtarë të Këshillit të Ministrave, deputetë të Kuvendit, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të klerit shqiptar etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta tha se është nder dhe përgjegjësi hapja e seancës së sotme plenare duke sjellë në kujtesë miliona viktima hebreje të barbarisë naziste, në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit edhe këtu në Kuvendin e Shqipërisë si në shumë Kuvende të vendeve demokratike.
“Këtë javë, e gjithë bota kujton me dhimbje vuajtjet dhe tmerrin e një populli të tërë që u persekutua dhe u masakrua në emër të një filozofie të rrezikshme dhe përmes një makinerie të tërë barbare që goditi në zemër të vlerave njerëzore. Ne sot kujtojmë një nga momentet më të errëta të historisë sonë moderne, dhe përulemi përpara sakrificave të paimagjinueshme të në brezi të tërë, që refuzoi të përkulej ndaj tiranisë dhe racizmit institucional mizor nazist që tentoi të nënshtronte mbarë kontinentin tonë”, tha z. Meta, duke shtuar se ne sot kujtojmë me krenari dhe përulemi me mirënjohje përpara gjithë kombit shqiptar që sakrifikoi çdo gjë për shpëtuar të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri.
“Ne sot kujtojmë gjithashtu me krenari dhe përulemi me mirënjohje përpara gjithë kombit shqiptar që sakrifikoi çdo gjë për shpëtuar të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri dhe që hapi dyert e tij për të mbrojtur shumë të tjerë që gjetën strehë në gjirin e mikpritjes, dashurisë dhe besës shqiptare.
Para dy ditësh, pata një takim të veçantë me Kryetarin e Knesset, Parlamentit të Izraelit, z. Yuli Edelstein, me të cilin morëm pjesë së bashku me 26 Kryetarë Parlamentesh në ceremoninë e 70-të përkujtimore të Ditës së Holokaustit në Pragë. Kolegu im i nderuar më rishprehu mirënjohjen për mikpritjen, bujarinë, mbrojtjen, strehimin dhe sakrificën e kombit shqiptar që shpëtoi të gjithë hebrenjtë të cilët ndodheshin në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha z. Meta.
Kryetari i Kuvendit theksoi se sakrifica e madhe e kombit shqiptar është njohur edhe në regjistrin e “Të Drejtëve mes Kombeve” në Yad Vashem, ku shprehet mirënjohja për gjithë shqiptarët që rrezikuan jetët e tyre në mbrojtje të jetës së të gjithë hebrenjve që ishin në Shqipëri dhe që erdhën në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Shqipëria është vendi ku hebrenjtë ishin më të shumtë në numër pas luftës, se sa përpara saj. Besa, bujaria, mikpritja dhe toleranca e shqiptarit, janë elementë thelbësore të shpirtit tonë kombëtar, të cilat e identifikojnë Shqipërinë si një shembull të jashtëzakonshëm bashkëjetese dhe harmonie etnike dhe fetare në botë. Për këtë ne jemi të gjithë krenarë. Shqiptarët, përmes sakrificës dhe dashurisë së natyrshme që treguan ndaj kombit hebre, ashtu siç kemi mirëpritur shumë grupe të tjera etnike në shekuj, e mishëruan proverbin e njohur të Mishnës që “kush shpëton një jetë, shpëton universin e tërë””, tha z. Meta.
Në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta falënderoi Ambasadorin e Izraelit në Tiranë, z. David Cohen si dhe Profesorin dhe historianin e shquar izraelit, z. Gideon Greif të cilët nderuan me praninë e tyre në këtë ceremoni si dhe të pranishmit e tjerë.
“Falënderoj të gjithë përfaqësuesit e trupit diplomatik dhe miqtë e tjerë që ndodhen këtu në këtë ceremoni të veçantë për të shprehur solidaritetin tonë të përbashkët kundër çdo forme diskriminimi, racizmi, nacionalizmi ekstrem, anti-semitizmi dhe anti-humanizmi që demonstrohet sot në botë”, deklaroi z. Meta.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Miqësisë, Shqipëri – Izrael, znj. Valentina Leskaj tha se ky përvjetor është i veçantë për vetë faktin që përkon me 70 vjetorin e çlirimit të kampit të “Aushvic-Birkenau”, i cili bart dëshminë e tmerrshme të më shumë se një milion tragjedive personale e familjare, që përjetuan gjenocidin më të egër.
“Nderimi i parë sot shkon për 6 milionë viktimat hebreje, të të gjitha brezave, nga foshnja deri te të moshuarit, që u bënë viktima të makinës shkatërruese të dinjitetit njerëzor, vrasës të shpresës, historisë e jetëve njerëzore. Ndërkohë, është dita të nderojmë të gjitha ato familje shqiptare, që rrezikuan çfarë kishin më të shtrenjtë, për të shpëtuar çdo hebre, që mund të hynte në territorin shqiptar. Shqiptarët e bënë këtë me një humanizëm e kurajë të rrallë duke na lënë një trashëgimi të vyer vlerash e dinjitetit njerëzor”, tha znj. Leskaj duke shtuar se kjo trashëgimi ka shënjuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri – Izrael tha se historia e vjetër e marrëdhënieve njerëzore, qëndron në themel të marrëdhënieve të shkëlqyera e shumë dimensionale, që bëjnë historinë e re të marrëdhënieve mes dy vendeve, qoftë në nivel parlamentar, e atë mes dy qeverive.
“Të nderuar miq, ky përvjetor është i veçantë edhe për faktin se një konteksti të ri europian e botëror, që na bën alert pas ngjarjeve të fundit. Terrori që përjetoj Franca këtë fillim viti, kërcënimet, për akte të rena terrorist e antisemitizmi, na bëjnë ta kujtojmë këtë ditë, jo vetëm si nderim, për të shkuarën tonë të përbashkët, po si reflektim për mbrojtjen e lirive, vlerave njerëzore e qytetërimit Europian”, tha znj. Valentina Leskaj.
Në emër të vendit të tij, Ambasadori i Izraelit në Tiranë, z. David Cohen, falënderoi Kryetarin e Kuvendit dhe deputetët për kontributin e tyre në këtë ditë të rëndësishme.
Z. Cohen tha se është ende i panjohur fakti që Shqipëria shpëtoi banorët e saj hebrenj nga pushtuesit nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por shqiptarët, që duke vepruar nën konceptin e thellë të “Besës”, ishin edhe më heroik se kaq, pasi ata siguruan azil dhe strehë për hebrenjtë që kishin shpëtuar nga nazistët .
“Në një vend me shumicë myslimane, heroizmi absolut i Shqipërisë bëhet edhe më i jashtëzakonshëm”, tha z. Cohen.
Ambasadori i Izraelit në Tiranë tha se sulmi i dhunshëm i kohëve të fundit ndaj komuniteteve hebreje të Francës ishte i fundit nga një sërë incidentesh shumë shqetësuese në Evropë dhe në botë që pasqyrojnë rritjen e një vale të dhunshme anti-semitizmi. “Epidemia e urrejtjen dhe racizmi kërkon një kurë. Ne nuk mund të rrimë në heshtje, ndërsa të tjerë vendosin se disa akte të urrejtjes konsiderohen të pranueshme. Akte anti-muslimane, ati-semitismi, duhet jo vetëm të denoncohen, por të ndëshkohen rëndë. Myslimanët janë viktima të dhunës ekstremiste islamike, dhe përballë terrorizmit, ne të gjithë duhet të jemi të bashkuar. Dita përkujtimore e Holokaustit zgjon brenda nesh kujtime të trishtuara dhe të dhimbshme për atë që njerëzimi ka përjetuar, por në të njëjtën kohë është një thirrje që faqet të tilla të historisë nuk duhen të shkruhen më”, tha z. Cohen duke shtuar se është e rëndësishme që të mos harrohet e kaluara për të mundësuar ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.
Edhe Profesori dhe historiani i shquar izraelit, z. Gideon Greif falënderoi popullin shqiptar për fisnikërinë e tij të treguar në shpëtimin e popullit hebre.
“Ne i kujtojmë ata dhe vuajtjet e tyre, por duhet gjithashtu të mendojmë për domethënien e kuptimin e Aushvicit, për të tashmen dhe të ardhmen tonë, dhe të nxjerrim të gjithë pasojat e nevojshme për një botë më të mirë në mënyrë që një Aushvic i dytë të mos planifikohet kurrë dhe të mos funksionojë asnjëherë. Nëse nuk e kryejmë këtë detyrë, ferri i quajtur Aushvic do të mbetet si një hije e zezë e stuhishme në jetën tonë kudo dhe përherë. Të mësosh nga Aushvici është e rëndësishme për njerëzimin si dhe për të ditur se si ta formatojmë të ardhmen tonë. Të krijojmë, të kujtojmë këtë kohë, na ndihmon të gjejmë përgjigje për shumë pyetje se si ta formatojmë botën në mënyrë që një Aushvic të mos përsëritet dhe të mos ndodhë më”, tha z. Gideon Greif.
Fjala e plotë përshëndetëse e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta:
Të nderuar deputetë,
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,
Është nder dhe përgjegjësi për ne sot që ta hapim këtë seancë plenare duke sjellë në kujtesë miliona viktima hebreje të barbarisë naziste, në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit edhe këtu në Kuvendin e Shqipërisë si në shumë Kuvende të vendeve demokratike.
Këtë javë, e gjithë bota kujton me dhimbje vuajtjet dhe tmerrin e një populli të tërë që u persekutua dhe u masakrua në emër të një filozofie të rrezikshme dhe përmes një makinerie të tërë barbare që goditi në zemër të vlerave njerëzore.
Ne sot kujtojmë një nga momentet më të errëta të historisë sonë moderne, dhe përulemi përpara sakrificave të paimagjinueshme të në brezi të tërë, që refuzoi të përkulej ndaj tiranisë dhe racizmit institucional mizor nazist që tentoi të nënshtronte mbarë kontinentin tonë.
Ne sot kujtojmë gjithashtu me krenari dhe përulemi me mirënjohje përpara gjithë kombit shqiptar që sakrifikoi çdo gjë për shpëtuar të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri dhe që hapi dyert e tij për të mbrojtur shumë të tjerë që gjetën strehë në gjirin e mikpritjes, dashurisë dhe besës shqiptare.
Para dy ditësh, pata një takim të veçantë me Kryetarin e Knesset, Parlamentit të Izraelit, z. Yuli Edelstein, me të cilin morëm pjesë së bashku me 26 Kryetarë Parlamentesh në ceremoninë e 70-të përkujtimore të ditës së holokaustit në Pragë.
Kolegu imi nderuar më rishprehu mirënjohjen për mikpritjen, bujarinë, mbrojtjen, strehimin dhe sakrificën e kombit shqiptar që shpëtoi të gjithë hebrenjtë të cilët ndodheshin në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë botërore.
Kjo sakrificë e madhe e kombit shqiptar është njohur edhe në regjistrin e “Të Drejtëve mes Kombeve” në Yad Vashem, ku shprehet mirënjohja për gjithë shqiptarët që rrezikuan jetët e tyre në mbrojtje të jetës së të gjithë hebrenjve që ishin në Shqipëri dhe që erdhën në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Shqipëria është vendi ku hebrenjtë ishin më të shumtë në numër pas luftës, se sa përpara saj. Besa, bujaria, mikpritja dhe toleranca e shqiptarit, janë elementë thelbësore të shpirtit tonë kombëtar, të cilat e identifikojnë Shqipërinë si një shembull të jashtëzakonshëm bashkëjetese dhe harmonie etnike dhe fetare në botë. Për këtë ne jemi të gjithë krenarë.
Shqiptarët, përmes sakrificës dhe dashurisë së natyrshme që treguan ndaj kombit hebre, ashtu siç kemi mirëpritur shumë grupe të tjera etnike në shekuj, e mishëruan proverbin e njohur të Mishnës që “kush shpëton një jetë, shpëton universin e tërë”.
Më lejoni që në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të falënderoj Ambasadorin e Izraelit në Tiranë, z. David Cohen si dhe Profesorin dhe Historianin e shquar izraelit z. Gideon Greif që na nderojnë sot me praninë e tyre.
Falënderoj gjithashtu të gjithë përfaqësuesit e trupit diplomatik dhe miqtë e tjerë që ndodhen këtu në këtë ceremoni të veçantë për të shprehur solidaritetin tonë të përbashkët kundër çdo forme diskriminimi, racizmi, nacionalizmi ekstrem, anti-semitizmi dhe anti-humanizmi që demonstrohet sot në botë.
KOHA JONË SONDAZH

