Kuvendi rrëzon projekt-rezolutën e PD-së, Alibeaj: Qeveria nuk u ngrit përtej politikës. Shqipëria në protestë kundër korrupsionit
Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar projekt-rezolutën e Partisë Demokratike me 10 pika për rritjen e çmimeve. Projekt-rezoluta është votuar 74 vota kundër dhe 27 pro. Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj, në një reagim pas votimit, thotë se qeveria nuk u ngrit përtej politikës për të ndihmuar në përballimin e krizës së rëndë ekonomike. Në reagimin e tij, Alibeaj nënvizon edhe se sot qytetarët shqiptarë janë në kushte mbijetese, dhe se Shqipëria është ngritur në protestë kundër korrupsionit.
Postimi i plotë
Fatkeqësi që qeveria nuk u ngrit dot përtej politikës për të ndihmuar në përballimin e krizës së rëndë ekonomike me të cilën përballen shqiptarët sot. Sot qytetarët shqiptarë janë në kushte mbijetese. Sot Shqipëria është ngritur në protestë nga keqmanaxhimi dhe nga korrupsioni.
Megjithë këtë krizë të thellë deputetët e mazhorancës refuzuan:
– Uljen në 6% të TVSH për mallrat e shportës bazë, propozim konsistent i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike;
– Pezullimin e menjëhershëm të taksës së qarkullimit dhe kthimin e saj në nivelet e 8 viteve më parë, në masën 7 lekë për litër nga 27 lekë/litër aktualisht, duke eleminuar taksën Rama mbi karburantin;
– Shkurtimin e menjëhershëm të shpenzimeve operative të qeverisjes qëndrore me të paktën 25% të buxhetit të planifikuar për këtë zë për vitin buxhetor 2022;
– Dyfishimin e menjëhershëm të ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë dhe jo thjesht trajtimin financiar të tyre për një periudhë afatshkurtër 3-mujore;
– Rritjen e menjëhershme të pensioneve me dyfishin e indeksimit të parashikuar nga vetë qeveria, duke filluar nga 1 Prill 2022;
– Rritjen e pagës minimale në masën 36,000 (tridhjetë e gjashtë mijë) lekë në muaj duke filluar nga 1 Prill 2022;
– Pezullimin e menjëhershëm të pagesave buxhetore për PPP-të dhe koncesionet, vecanërisht ato të cilat janë nën hetim nga Prokuroria e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për veprimtari korruptive;
– Rritjen e subvencionimit ndaj fermerëve në masën 100 milion euro/vit me qëllim rritjen e prodhimit dhe uljen e kostove të tyre, për t’i bërë produktet shqiptare konkurruese në rajon;
– Kryerjen e një hetimi të thelluar dhe gjithëpërfshirës nga Autoriteti i Konkurrencës, si dhe marrjen e masave urgjente në përputhje me ligjin nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”;
– Raportimin nga Autoriteti i Konkurrencës përpara Kuvendit të Shqipërisë brenda një afati 30-ditor nga data e miratimit të kësaj rezolute, lidhur me konkluzionet e hetimit, masat e marra dhe zbatimin e tyre në praktikë.