Kuvendi shqyrton ligjin për Turizmin, Fino: Garantohet turizmi vjetor i integruar
Kuvendi po zhvillon seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar ku po shqyrtohet projektligji për turizmin.
Mazhoranca thekson se përmes këtij projektligji Shqipëria do të vendoset në një destinacion të preferuar dhe konkurrues në tregun ndërkombëtar të këtij sektori.
“Ky ligj sjell turizëm vjetor të integruar, zhvilllimin e turizmit të qëndrueshëm, formalizimin dhe standardizimin e industrisë së turizmit, krijimin e programeve kombëtare për stafin për turizmin, me tre programe, turizmi për të rinjtë, eko-turizmi dhe programi për turizmin malor dhe bregdetar”, tha deputeti socialist Bashkim Fino.
Sipas tij, ligji do të mundësojë nisjen e klasifikimit, standardizimit dhe dhënien e licencave për operatorët dhe agjencitë turistike, proces ky që do të kryhet nga ministria përkatëse me ndihmën dhe bashkëpunimin e agjencive ndërkombëtare që punojnë me këtë sektor.
Deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho në fjalën e tij tha se klasa politike ka gabuar me politikat e turizmit. Sipas deputetit Spaho, ligji nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm në fushën e turizmit.
“Turizmi është parë si një lopë për t’u mjelë”, tha Spaho, ndërsa foli për uljen e numrit të vizitorëve nga Kosova me marrjen e liberalizimit të vizave..
Pika më e debatueshme është heqja e kompetencave që ka aktualisht pushteti vendor për menaxhimin e pasurive të paluajtshme në zonat me përparësi turizmin. Me ndryshimet e bëra kjo kompetencë i kalon Ministrisë së Ekonomisë, e cila vendos për t’ia dhënë pronat me koncesion për 99 vjet kompanive të ndryshme, sipas kontratës simbolike “1 euro”.
Opozita kundërshton projektligjin dhe këtë e ka njoftuar edhe në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, i cili shqyrtoi javën e kaluar propozimin e mazhorancës. Sipas Partisë Demokratike, ligji ka koncepte të gabuara, por dhe një përqendrim të tepruar të kompetencave në një ministri të vetme.
Ligji i ri ‘për turizmin’ që synon të rrisë numrin e turistëve dhe të investimeve në turizëm parashikon standardizimin dhe klasifikimin e strukturave akomoduese, sipas yjeve. Sipas përfaqësuesve të qeverisë ky proces mund të kryhet me asistencën e një kompanie të huaj.
KOHA JONË SONDAZH

