Kuvendi shtyn seancën plenare, nesër do të ketë homazhe në nder të Gerti Bogdanit
Në nderim të Gerti Bogdanit, seanca plenare në Kuvend është shtyrë, pasi nesër paradite do të mbahen homazhe për ish-deputetin e PD-së, i cili mbylli sytë sot si pasojë e një arresti kardiak. Grupi Parlamentar i PD, në koordinim me Kryetaren e Kuvendit, dhe me miratimin e familjes, pritet të organizojnë ceremoni shtetërore për përcjelljen e ish deputetit Gerti Bogdani.
“Të nderuar kolegë, ju njoftojmë se Kuvendi i Shqipërisë do të organizojë zhvillimin e homazheve në nderim të ish deputetit Gerti Bogdani, nesër, ditën e enjte, ora 10:00-12:00, në sallën e seancave plenare”, njofton Kuvendi.
Policia e Tiranës në një njoftim për mediat deklaroi se Bogdani është gjetur pa ndjenja në ambientet e hoteli Rogner në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, por ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.
Ai ka qenë duke konsumuar kafe në ambientet e hotelit Rogner në Tiranë, kur ka shfaqur shqetësime. “Kam probleme me frymëmarrjen”, iu është drejtuar ai miqve të tij, me të cilët po pinte kafen dhe është laguar për në tualet.
Pasi është vonuar, miqtë e tij të shqetësuar shkuan në tualet dhe kanë hapur derën me forcë. Ata e kanë gjetur ish-deputetin e PD-së të shtrirë përtokë dhe i kanë dhënë ndihmën e parë. Gerti ishte i martuar me aktivisten e njohur Edlira Çepani dhe është babai i dy fëmijëve, Ajrës dhe Reinartit.