Kuvendi sot në seancë, ja projektligjet që do të diskutohen

Ditën e sotme Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në seancën e radhës plenare. Në rend të ditës janë për t’u diskutuar disa projektligje.

Sipas njoftimit të Kuvendit, seanca plenare pritet të nisë në ora 10:00. Pas miratimit të procesverbalit të seancës plenarë të datës 28 tetor 2024, do të diskutohet projektligji “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.

Në rend dite është parashikuar diskutimi për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë” si dhe projektligji për një ndryshim në ligjin, “Për fondin kullosor”, i ndryshuar.

Gjatë seancës plenare do të diskutohet edhe dekreti i kthyer nga presidenti Bajram Begaj, për ligjin “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

Po ashtu në rend dite është edhe projektvendimi “Për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor “Për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up-it në Shëndetësi” si dhe projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimin e pagave të personelit me kohë jo të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

SHKARKO APP