Lajçak: Muajt e ardhshëm, të rëndësishëm për raportet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE
Shefi i diplomacisë sllovake, Miroslav Lajçak deklaroi se muajt e ardhshëm do të jenë të rëndësishëm për marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai paralajmëroi për rreziqe me të cilat mund të përballet BE-ja nëse nuk dërgon një sinjal të qartë për rajonin.
”E rëndësishme është të gjendet një konsensus i ri për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të përmirësohet politika e zgjerimit dhe të përgatitet samiti i majit midis BE-së dhe Ballkanit”, deklaroi Lajçak
”Muajt e ardhshëm janë të rëndësishëm për marrëdhëniet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Lajçak në konferencën për sfidat strategjike të BE-së në Ballkanin Perëndimor në vitin 2020, që po zhvillohet në Berlin.
”BE-ja duhet ta tregojë ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.
”Shpesh mbështetemi në strategjinë e komunikimeve, por duket se harrojmë se njerëzit në rajonin e Ballkanit Perëndimor i lexojnë nuancat e sinjaleve që u dërgojmë”, shtoi Lajçak.