Lajthit kryeministri Edi Rama!
Partia Socialiste mblodhi dje Asamblenë Kombëtare te Amfiteatri në Kodrat e Liqenit. Takimi i forumit me të lartë socialist dukej më tepër si piknik i pasdites te Kodrat e Liqenit, sasa mbledhje partiake për bilancin e dy mandateve dhe analizë e qeverisjes. Në takimin që zgjati vetëm dy orë, 1 orë e 57 minuta foli vetëm Edi Rama. Fjalimi i mbajtur mund të jetë nga më të dobëtit në historinë e kryetarëve dhe kryeministrave të PS sidomos në historinë personale të Edi Ramës.
Vetëm 10 minuta ishin për reformat që PS pretendon se ka bërë në 7 vjet. 5 minuta ishin për projektin e mandatit të tretë, ku e vetmja gjë që u mbajt mend është se koncesionet do vazhdojnë dhe Saranda, Vlora, Kukësi do kenë aeroport. Kryeministrit i mbeti vetëm të premtonte se çdo qytet i Shqipërisë do të ketë nga një aeroport. Ndërsa pjesë tjetër e fjalimit të kryeministrit ishte një përzierje mes humorit banal të komedive të dobëta dhe sulmeve pa doganë ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
Kur kërkon një mandat të tretë duhet të jesh shumë i kujdesshëm dhe bindës, e jo më kur ke qeverisur si mos më keq e për dreq.
Presidenti Ilir Meta, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ishin qendra e sulmeve të tij. Më pas ndau PD-në nga LSI dhe gjithë vëmendjen ja kushtoi kreut të shtetit dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Është normale që një kryeministër dhe kryetar partie të merret me kundërshtarët. Normale është dhe që fjalimet, në prag fushate, të kenë doza më të forta sulmesh. Ajo që nuk duket normale në fjalimin e një kryeministri është momenti kur kreu i qeverisë dhe njeriu që drejton vendin ngatërron fushatën elektorale me tallavanë.
Një kryeministër nuk shpërthen me sharje vulgare ndaj kundërshtarëve të tij. Një kryeministër, që kërkon të marrë mandatin e tretë, nuk mund tu japë shqiptarëve humor banal në vend të rezultateve dhe punëve konkrete. Një kryeministër, nuk mund t’u servir njerëzve si reforma dhe projekte, batuta dhe idiotsi. Vendi është në krizë politike, institucionale dhe ekonomike. Shqiptarët duan drejtësi sepse gjykatat u rrënuan nga Rilindja. Duan investime dhe zhvillim ekonomik sepse paratë po shkojnë vetëm të oligarkët e qeverisë. Duan integrim në BE, sepse qeveria po i kërcënon se mund të kthehen prapë vizat. Janë mijëra probleme që kërcënojnë të sotmen dhe të ardhmen e vendit, e presin zgjidhje nga qeveria. Në vend të përgjigjeve që duan qytetarët, kryeministri u jep spektakël bajat dhe fyerje. Çështje të tilla nuk zgjidhen me sulme ndaj kundërshtarëve dhe as me imitime amatoreske të skeçeve të spektakleve të humorit.
Në fund të mandatit të dytë qeverisë, një kryeministër më e pakta sheh në sy realitetin dhe bilancin e asaj që lë pas. Edi Rama as këtë nuk e bëri dje. Kreu i qeverisë foli vetëm me arrogancën e zakonshme duke thënë se “jemi më të mirët”. Modestia është një fjalë që rilindja dhe ky kryeministër nuk e njohin, megjithatë disa merita duhet t’i njihen. Fjala bie, kjo qeveri rezulton më e mira për vjedhjen me koncesione. Kanë abuzuar aq shumë sa asnjë tjetër nuk i konkuron dot. Gjithashtu, janë më të mirët për kthimin e Shqipërisë në qendrën e trafikut të drogës. Kanabizimi i vendit e trafiku i kokainës tregojnë se këtë sektor e kanë mbuluar më së miri. Sigurisht kjo mazhorancë është “më e mira” dhe për bashkëpunimin me krimin. Deputetët, kryebashkiakët dhe zyrtarët e lartë që janë denoncuar për krime të rënda janë provë e bashkëpunimit shembullor qeveri-krim. Kjo mazhorancë rezultoi si “më e mira” dhe për të shkatërruar themelet e shtetit. Jemi pa Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë dhe drejtësia ka 4 vite që e bën pushim, ndaj duhet njohur si sukses edhe kjo. Kësaj qeverie i duhet dhënë vlerësimi si “më e mira” dhe për largimet masive të njerëzve në emigrim. 500 mijë të ikur në 7 vite janë mjaftueshëm për të kuptuar suksesin e Rilindjes.
Kur një kryetar qeverie dhe partie nuk flet për këto, por sulmon kreun e shtetit si problemin më të madh të vendit, atëherë jemi në momentin kur arsyeja nuk na hyn në punë. Kryeministri është në fund të mandatit të dytë dhe drejt ikjes nga pushteti. Humbja e pushtetit shihet si gjëma më e rëndë që mund t’i ndodh në këtë fazë kryerilindasit. Vetëm frika e ikjes mund të krijojë lajthitje si ajo e djeshmja, ku fliste si i çartur.
Kryeministri Rama, i rrethuar nga oligarkë dhe rilindas hajdutë, mbetet shembylltyra më e keqe e një kryeministri që në vend të ulet e kërkojë falje për gjithë të këqijat që i ka bërë këtij populli duke ia marrë paratë në buxhetin e shtetit, por turret duke sharë, fyer e kërcënuar kryetarin e shtetit, opozitën dhe cilindo që i del përpara e që nuk është dakort me të.
Asnjë fjalë nuk tha kundër mjerimit ekonomik dhe kundër krimit që zotëron vendin; asgjë për rritjen e pensionëve dhe punësimin, sidomos për rininë. Asgjë nuk tha për gabimet dhe krimet e Rilindjes, por vetëm sulmoi Ilir Metën dhe premtoi aeroporte në çdo zonë!
Në vitin 2013 erdhi në pushtet falë LSI, në vitin 2017 për gabimet e Lulzim Bashës, kurse tani kërkon mandatin e tretë, që të na shkrijë si shtet, duke sulmuar vetëm Ilir Metën.
Ky është një Edi Rama krejt tjetër nga sa kemi njohur dikur në vitet ’90.
Mili Xhani