“Larg nga listat kandidatët me probleme”, ja çfarë shkruan Zëri i Amerikës për “ultimatumin” e ambasadores Yuri Kim
Në Shqipëri, ambasadorja amerikane Yuri Kim i është drejtuar me një letër drejtuesve politikë shqiptarë që të marrin masa që kandidatët e tyre për deputetë të mos jenë subjekt i të ashtuquajturit ligj për dekriminalizimin
Ambasadorja Kim shkruan se inkurajon të gjitha partitë politike “që të verifikojnë kandidatët dhe të emërojnë vetëm ata që janë të kualifikuar dhe që respektojnë votuesit shqiptarë. Ndërsa individët janë përgjegjës për të bërë të njohur të kaluarën kriminale, udhëheqësit e partive duhet të sigurojnë integritetin dhe vërtetësinë e deklaratave të atyre që kërkojnë të zgjidhen nën siglën e tyre”, thekson ajo.
Ambasadorja amerikane kujton se si për shkak të ligjit të dekriminalizimit disa deputetë apo kryetarë bashkisë janë larguar, kanë dhënë dorëheqjen apo janë nën hetim. Në zgjedhjet vendore të vitit të shkuar, disa nga të zgjedhurit e partisë socialiste, rezultuan të kishin fshehur të kaluarën e tyre.
“Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në luftën kundër korrupsionit dhe qëndrojnë në krah të secilit që kërkon të ndalojë zyrtarët e korruptuar të veprojnë në mënyrë të paligjshme dhe pa u ndëshkuar”, shkruan ambasadorja amerikane, ndërsa thekson se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin të drejtën e tyre për t’i ndaluar hyrjen në territorin amerikan zyrtarëve të korruptuar. Deri më tani një masë e tillë është marrë ndaj deputetit Tom Doshi, ish kryeprokurorit Ariatik Llalla dhe ish kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ndërsa mbi 170 zyrtarëve të tjerë iu është refuzuar viza.
Duke ju drejtuar udhëheqësve politikë shqiptarë, ambasadorja Kim nënvizon se “ju mund të luani një rol në këto përpjekje duke mbajtur jashtë listës së partive tuaja, këta njerëz që njihen si të korruptuar”./VOA