Largimet nga Shqipëria, Berisha kritikon ambasadorin gjerman
Ish kryeministri Sali Berisha ka kritikuar ambasadorin gjerman në Shqipëri, Helmut Hoffmann. Shkrimi i Berishës në rrjetin social Facebook, vjen për shkak të një deklarate të ambasadorit gjerman ditën e djeshme, në lidhje me situatën e krijuar nga largimet e shumta të shqiptarëve drejt Gjermanisë. Sipas ish kryeministrit, Hofman është shfaqur i kënaqur me situatën e krijuar. "Jam i kënaqur nga bashkëpunimi me qeverinë për eksodën. Largimi i shqiptarëve nga vendi dhe kërkesat e tyre për azil politik kanë marrë përmasat e një eksodi tragjik, dramë të vërtetë kombëtare. Në janar, vetëm në një vend, 1500 shqiptarë kërkuan azil politik, mbi 3000 në mars dhe mbi 5000 vetëm 10 ditëshin e parë të muajit prill. Kjo statistike është vetëm e pjesshme, përmasat e eksodit janë së paku edhe dy herë më të mëdha gjykuar nga shifra më të plota. Qeveria vetëm pas alarmit të javës së fundit ka nisur të reagojë, por gjithnjë duke mohuar eksodin”, shkruan Berisha duke shtuar se “Qeveria për qëllime sociale dhe elektorale nxit eksodin jo vetëm me qëndrimet dhe politikat e saj eksodogjene por dhe me sekserët e saj lokal që nxisin direkt qytetarët që të largohen dhe indiferencën dhe reagimin e saj pas pilafit. Ajo reagoi e fundit pas sirenave europiane dhe druaj se reagoi vetëm për fasadë pasi vetëm në fundjavën që kaloi reagoi Edi Rama dhe kryepolici i vendit. Personi i vetëm, mendoj që ka reaguar më shumë dhe është përpjekur t'u thotë të vërtetën shqiptarëve në mënyrë të përsëritur gjatë këtyre muajve është ambasadori i Gjermanisë, i vendit që ka dhe kërkesat më të mëdha për azil politik nga shqiptarët”. Berisha ka trguar habi për deklaratën e Hofman. “Por ajo që të habit është deklarata e djeshme e kënaqësisë së tij në bashkëpunimin në këtë fushë me qeverine Rama, ndërkohë që shifrat e azilkerkuesve nga Shqipëria, veçanërisht në vendin e tij, janë rritur e po rriten shumë e shumë herë. Një valë të tillë kërkesash për azil politik nga qytetarë të Shqipërisë, Gjermania mike ka njohur vetëm në korrik të vitit 1990”, shkruan Berisha.