Largimi i Angela Merkelit, humbje e madhe për Erdogan
Udhëheqësit e Turqisë po ndjekin nga afër zgjedhjet gjermane të 26 shtatorit që do të shënojnë fundin e qëndrimit të gjatë në detyrë të kancelares Angela Merkel. Zonja Merkel ka ruajtur një marrëdhënie të fortë pune me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në një kohë kur lidhjet e tij me udhëheqësit e tjerë perëndimorë janë tensionuar për disa çështje, përfshirë emigracionin. Njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones.
Zgjerimi i shpejtë i universitetit turko-gjerman të Stambollit është një nga shenjat më të dukshme të lulëzimit të marrëdhënieve mes kancelares Angela Merkel dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
“Ata kanë krijuar një marrëdhënie; kjo është pjesa më e rëndësishme, sepse nuk është e lehtë të krijosh një marrëdhënie me Erdoganin, dhe ata e bënë këtë. Dhe unë mendoj se është marrëdhënia më e mirë e punës që Turqia ka në marrëdhëniet e saj të jashtme për momentin“, i tha Zërit të Amerikës, Sezin Oney, gazetare me portalin e lajmeve Duvar.
Ishte marrëveshja e refugjatëve e vitit 2016 mes Ankarasë dhe Bashkimit Evropian, në bazë të së cilës Turqia priti miliona refugjatë sirianë në këmbim të miliarda dollarëve ndihmë; një marrëveshje që uli në tryezë zotin Erdogan dhe zonjën Merkel.
“Ishte shumë e qartë që Merkel ishte ajo që do të kërkonte të fliste me Erdoganin. Pra, ishte një moment shumë vendimtar. Siç e shohim sot, evropianët në thelb donin t’i mbanin refugjatët sa më shumë që të mundeshin larg Evropës“, thotë Zeynep Alemdag, nga Universiteti Okan i Stambollit.
Por kritikët e quajnë marrëveshjen e refugjatëve një marrëveshje jo të pastër. Ata pretendojnë se vendosmëria e zonjës Merkel për të mbajtur gjallë marrëveshjen, e bëri atë të ushtronte rolin e saj udhëheqës në Evropë për të zbutur kritikat ndaj përkeqësimit të të drejtave të njeriut në Turqi.
“Kjo do të jetë trashëgimia e saj, domethënë se ajo hezitoi në mbrojtjen e asaj që ata pretendojnë se janë vlerat e BE-së, demokracinë, të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, për hir të mbrojtjes dhe ruajtjes së marrëveshjes së refugjatëve me Turqinë“, thotë Sinan Ulgen, nga Qendra për Studime të Ekonomisë dhe Politikës së Jashtme.
Berlini thotë se nuk ka reshtur së ngrituri shqetësimet për të drejtat e njeriut me Turqinë, por thotë se e bën këtë në prapaskenë.
Me zgjedhjet gjermane që i japin fund epokës së zonjës Merkel, analistët parashikojnë se Ankaraja do të humbasë kancelaren gjermane dhe atë që shumë këtu e shohin si mbrojtjen që ajo i jep brenda Bashkimit Evropian.
“Në këtë kuptim, Merkel ishte si një nënë për Turqinë. Kështu që tani, politika e jashtme e Ankarasë, për sa i përket Evropës, duhet të jetë e pjekur dhe të kujdeset për veten, sepse nuk do të ketë një Merkel për të rregulluar gjërat prapa skenave“, i tha Zërit të Amerikës zonja Oney.
Largimi i zonjës Merkel do të thotë se zoti Erdogan do të përballet me një epokë të re të marrëdhënieve diplomatike që mund të jetë më e trazuar, jo vetëm me Gjermaninë, por edhe më gjerë me Bashkimin Evropian.