Largimi i shqiptarëve nga Anglia, plani me 5 pika nga kryeministri Sunak: Strehimi në reparte ushtarake
Cilësimi dhe gjuha e përdorur për emigrantët, ku shqiptarët po quhen ”pushtues” nga sekretarja e Brendshme, ka bërë që kryeministri i ri i Britanisë Madhe, Rishi Sunak të ulë gjuhën raciste dhe të paraqesë një plan të ri, për kthimin në atdhe të emigrantëve që zgjedhin rrugën me gomone.
Duke folur në Commons (parlamentin britanik), kryeministri tha se punonjësit e ”Home Office” do të futen në aeroportin e Tiranës për të punuar me autoritetet lokale për të shkatërruar bandat e krimit të organizuar.
Emigrantët që vijnë në Mbretërinë e Bashkuar në vend të hoteleve do të strehohen në ish-blloqe akomodimi studentësh, vende ushtarake të papërdorura dhe parqe. “Zgjidhja nuk duhet të jetë vetëm ajo që funksionon, por ajo që është e drejtë”,-tha zoti Sunak. “Është e padrejtë që njerëzit vijnë këtu ilegalisht”.
Një rekord prej 3,432 shqiptarësh deklaruan se ishin viktima të trafikimit në nëntë muajt e parë të vitit, duke i bërë ata kombësinë më të madhe që aplikonin sipas aktit të skllavërisë moderne, përpara edhe britanikëve.
Plani me 5 pika
Së pari, do të ketë një komandë të re, të unifikuar të anijeve të vogla, ku do të përfshihet ushtria, forcat civile dhe inteligjenca.
Së dyti, emigrantëve ilegale do t’u ndalohet të hapin llogari bankare.
Së treti, azilantët nuk do të strehohen më në hotele, por në konvikte dhe magazina ushtarake.
Së katërti, punonjësve që trajtojnë rastet e azilit do u bëhet shumë e qartë se Shqipëria është vend i sigurt. Ata që pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne, duhet ta provojnë këtë, tha Sunak.
Së pesti, në fillim të vitit të ri qeveria do të nxjerrë ligje për të siguruar që njerëzit që mbërrijnë në MB ilegalisht nuk do të mund të kërkojnë azil këtu.