Largimi nga PR, Ylli Shehu: Mediu qesharak!

 

Deputeti i cili u largua nga PR dhe iu bashkua LSI ka sqaruar sot qëndrimin e tij dhe arsyet e largimit. Shehu deklaron se Mediu nuk e mbajti fjalën se nëse PD nuk do kandidonte Dukën do të dilte e vetme në zgjedhjet e 21 qershorit.

“Me keqardhje u njoha me qëndrimet e mbajtura nga z. Fatmir Mediu ndaj vendimit tim për t’iu bashkuar grupit parlamentar të LSI-së.

Desha të sqaroj qartë edhe një herë, se nuk kam ikur, por kam bërë një zgjedhje, e cila ka qenë thellësisht e motivuar dhe parimore, pasi për fat të keq z. Mediu i iku në mënyrë krejtësisht jo transparente premtimit publik të bërë në strukturat drejtuese të Partisë Republikane, që nëse Partia Demokratike nuk do t’i qëndronte angazhimit për të kandiduar z. Agron Duka për kryetar të Bashkisë së Durrësit, atëherë Partia Republikane për të vënë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur do dilte me vete dhe do të kandidonte me kandidatët e saj në të 61 bashkitë e vendit.

Ndërkohë që Partia Demokratike nuk i qëndroi premtimit për të kandiduar z. Agron Duka për kryetar të Bashkisë së Durrësit, ku unë shpreh bindjen time se ai do të kishte qenë fitues, pa dhënë asnjë shpjegim dhe për arsye aspak transparente që vetëm ai i di, z. Mediu vendosi të vazhdonte koalicionin me PD sikur asgjë nuk kishte ndodhur dhe sikur asgjë nuk ishte thënë, duke i ikur në mënyrë krejtësisht jotrasparente premtimit publik të bërë në strukturat drejtuese të Partisë Republikane dhe të pasqyruar gjerësisht edhe në mediat shqiptare për të dalë e vetme në zgjedhje e për të konkurruar në 61 bashkitë e vendit.

Në këto kushte i kam bërë me dije strukturave të Partisë Republikane dhe z. Mediu mospajtimin tim me këto qëndrime sa inferiore, kontradiktore dhe qesharake, duke bërë edhe zgjedhjen time politike për t’iu bashkuar grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim.”

SHKARKO APP