Ledio Braho sqaron si një person ka votuar më shumë se një herë në Berat dhe në Gjirokastër
Hapja e kutive në Berat dhe në Gjirokastër ka nxjerrë në pah krimet zgjedhore.
Në lidhje me parregullsitë në kutitë që janë hapur dhe po rinumërohen votat, në Syri TV flet Ledio Braho, anëtar i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Në lidhje “Skype” në “ORA 19” me moderatorin Juli Krisafi, Braho sqaron: “Si në rastin e Beratit, ashtu edhe në rastin e Gjirokastrës, janë dy raste ku i njëjti person është identifikuar dy herë në dy qendra votimi të ndryshme. Një komisioner ka votuar aty ku është komisioner, pasi ligji ia lejon, por ka shkuar ka votuar edhe në qendrën e votimit ku ai është zgjedhës në listën përkatëse. Pra, është rasti i një komisionari që detyrën e komisionerit e ushtron në një qendër votimi të ndryshme ku ai është zgjedhës.
Këto janë dy raste, në Berat dhe Gjirokastër, ku komisionerë kanë votuar në dy qendra votimi të ndryshme. Në raste të tjera, si në Gjirokastër, ku janë 12 shenja gishtërinjsh për identifikimin e 70 zgjedhësve, do të thotë që 70 zgjedhës të ndryshëm kanë votuar me 12 shenja gishtërinjsh. I bie që një person apo disa persona, kanë vendosur shenjën e gishtit më shumë se një herë.
Pra, kartat e identitetit janë të ndryshme, janë 70 karta identiteti të ndryshme, por ndërkohë janë 12 shenja gishtërinjsh. Kjo nënkupton që bëhet fjalë për persona me ID të ndryshme, por si nënshkrim është përdorur vetëm një person apo disa persona, por që është më i vogël se numri i kartave të identitetit. Ky është rasti klasik i votimit të shumëfishtë”.