Lefter Maliqi: Ka dhe shantazh! Opozitën në parlament e komandon Rama
Deputeti Lefter Maliqi ka folur pozicionin e tij për sa i përket reformës zgjedhore, qëndrimeve të opozitës në parlament dhe marrëveshjes së arritur në tryezën e Këshillit Politik.
Maliqi ka thënë për Euronews Albania se me përjashtim të dy-tre deputetëve, Kryeministri Edi Rama “komandon opozitën parlamentare”. Ai i quajti aktrime politike deklaratat dhe kërkesat e mazhorancës për sa kohë nuk pranoi listat e hapura dhe këmbënguli se tashmë “topi është në fushën e Kryeministrit”.
Duke sqaruar pozicionin e tij përballë opozitës në parlament, një pjesë e së cilës është deklaruar se nuk do ta votojë reformën, Maliqi tha se është i pavarur dhe theksoi se nuk i përket asnjë grupimi, madje tregoi se në fillim u kishte propozuar atyre dorëzimin e mandateve nëse situata politike do të kërkonte vajtjen në zgjedhje të parakohshme, propozim që nuk ishte marrë parasysh.
“Asnjë nga deputetët nuk ka pranuar djegien e mandatit, që do të thotë se kjo listë e famshme e këtij sistemi të mbyllur bëri me fat disa deputet, përveç zonjës Hajdari apo të tjerëve që e kanë me meritë. Do ta lija me kënaqësi mandatin, por asnjë nuk pranoi sepse ky sistem futi në parlamentin e Shqipërisë, sigurisht ka edhe te mazhoranca, deputetë që janë bërë si emisioni portokalli,” – tha Maliqi duke akuzuar se ky është produkti i marrëveshjeve të vitit 2008.
Një vit pasi Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim vendosën të digjnin mandatet, në parlament janë krijuar 3 grupime me një total prej 31 deputetësh opozitarë: grupi prej 11 deputetësh “Demokrat” që kryesohet nga Myslim Murrizi, grupi prej 11 deputetësh “Demokraci dhe drejtësi” që kryesohet nga Edmond Stojku, grupi prej 9 deputetësh “I pavarur” që kryesohet nga Nimet Musaj.
Përtej 31 deputetëve të grupuar si opozitarë ka edhe 16 deputetë të vetëdeklaruar si të pavarur. Në total parlamenti ka vetëm 122 deputetë nga 140 që duhet të kishte sipas Kushtetutës dhe prej tyre 75 janë të Partisë Socialiste.
Megjithatë Maliqi theksoi se opozita parlamentare nuk është treguar e qëndrueshme dhe me votimet e shumë ligjeve pa oponencë nga shumica e saj ka treguar se “është servile ndaj Kryeministrit Rama”.
Në qershor 2019, deputetët e opozitës parlamentare firmosën “pro” ndryshimit të sistemit. Rudina Hajdari ishte përfaqësuese e këtij grupi deputetësh në Këshillin Politik.
Mirëpo siç tha deputeti Maliqi, ata u ndjenë të befasuar kur Ambasadorja Amerikane Yuri Kim deklaroi më 5 qershor se tashmë reforma varej nga kryetari i opozitës Lulzim Basha dhe ndërkohë nuk ishte vendosur asgjë për sistemin.
Deputeti i cilësoi “aktrim qeveritar rilindas” propozimet dhe kërkesat e vazhdueshme për kinse “depolitizim të komisioneve zgjedhore” dhe këmbënguli se reforma duhej të saktësonte që zgjedhjet të bëheshin me lista të hapura, sistem të cilin ai tha se nuk e kërkon Kryeministri Rama.
“Kur pashë që zonja Hajdari firmosi marrëveshjen dhe faktori ndërkombëtar dhe palët gjithashtu, në këto momente isha në dyshim të mbështes opozitën jashtë, apo veprimet prapaskenat, aktrimin, mendimin përça e sundo të Kryeministrit, i cili përdor Ballën për deputet të opozitës së re,” – tha Maliqi teksa kujtoi votimet kontraverse të opozitës në parlament të disa ligjeve që ai i cilësoi “pro-oligarkike”.
Maliqi tha se ka kontakte me 6-7 deputetë, dhe aktualisht kanë filluar telefonatat, SMS-të, madje dhe shantazhet për të votuar reformën, edhe pse personalisht u shpreh se e mbështeste marrëveshjen e arritur prej ndërkombëtarëve.
“Rama komandon opozitën e re me Ballët e tij, ka dhe shantazh, motoja e Ramës është përça e sundo, përçau banorët e Astirit, artistët, mediat, po kështu edhe opozitën,” – theksoi deputeti Maliqi duke këmbëngulur se tashmë “topi tani është në fushën e Ramës” dhe do të jetë ai që do të thotë fjalën e fundit.