Lesi: Beteja e Tiranës është e mbyllur. Abilekaj: Këlliçi la në hije bashkitë e tjera

Botuesi Nikollë Lesi tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” te Ylli Rakipi se beteja për Tiranën është e mbyllur, ndërsa Belind Këlliçi po luan për të qenë në të ardhmen pasues i Berishës në krye të PD-së. Ndërsa për analistin Enton Abilekaj theksimi i Tiranës në çeljen e fushatës në “Air Albania” la në hije bashkitë e tjera ku opozita kërkon fitoren, siç është Durrësi, Elbasani, apo Shkodra.

Biseda në studio:

Lesi: “Belindi luan si ajo dikur kur vinim shishen e qumështit në radhë, pra për të qenë kryetar i PD-së, kur ta dorëzojë Berisha, sepse unë betejën e Tiranës unë shoh të mbyllur.

Ndërsa në lidhje me autobuzin falas nëse ai do të thoshte për një kategori të caktuar, pensionistët dhe studentët që janë pa biletë, po e pranojmë. Por kështu gjithçka falas, falas, ku i merr paratë? Nga ne të tjerët që paguajmë taksat në mënyrë korrekte”

Më tej Nikoll Lesi shtoi se “Mitingu i hapjes së fushatës ishte normal, brenda normave të doktorit. Problemi është që doktori bën mitingjet, por votat i merr Rama.

Nuk ka frymë, Berisha dhe Meta po shkojnë drejt normalitetit tek votat e tyre.

Nuk ka frymë, nuk lëviz pjesa gri, nuk motivohen njerëzit. Nuk rrëzohet Rama me votat e Berishës dhe Metës. Harroje këtë punë! Duhet të krijojnë besim të madh që të krijohet lëvizje popullore, por me kaq vota sa kanë, e pamundur të rrëzojnë Ramën.

Berisha dhe Meta e dinë që Tiranën e kanë të humbur dhe po luftojnë për Durrësin dhe Elbasanin”, deklaroi Lesi.

Abilekaj: Do të ishte më mirë të kishte të bënte me uljen e taksave, se sa me shtimin e kontrollit të shtetit mbi veprimtarinë e qytetarëve. Një i djathtë si kandidat thotë me pak shtet dhe më pak taksa, paratë tuaja do t’i përdorni më shumë vetë se sa ne. Në vende në zhvillim si Shqipëria me korrupsion të madh, rekomandohet me shtet të dobët që taksat të jenë sa më të ulëta që ekonomia të zhvillohet vetë. Fushata e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit patjetër do të jetë prioritet i opozitës. Ata në “Air Albania” theksuan Tiranën, por lanë në hije Durrësin, Elbasanin, Shkodrën dhe opozita nuk e ka këtë luks. Hyrja e Belindit me autobus ishte gjetje, por duhej shoqëruar me daljen në pah edhe të kandidatëve të këtyre bashkive të tjera që pretendon opozita.

SHKARKO APP