Lesi në emision për SPAK: Altin Dumanit nuk ia ndjen fare për presionet e mafies apo politikës!
Në podcastin ‘Të Pashoq’ në kanalin në YouTube të “Pamfletit”, publicisti Nikoll Lesi, botues i ‘Koha Jonë’, në një analizë mbi aktualitetin politik në vend tha se sa të jetë Berisha në krye të PD, Edi Rama rri në pushtet. Ndër të tjera Lesi u pyet se “Çfarë note do t’i vinit Altin Dumanit?”
Lesi tha: Sipas meje ka notën 10 siç mori nga votuesit që u shpall njeri i vitit nga ‘Koha Jonë’. Si institucion është mes notës 8 apo 9. Nuk e vë dorën në zjarr nëse ka prokurorë me ndikim politik, por në masë dërrmuese ka perceptim publik se më shumë votojnë SPAK se qeverinë, apo median a shoqërinë civile. Pra publiku kështu mendon, uroj mos e zhgënjejnë.
Unë shoh njerëz që punojnë në shtet dhe kanë frikë të firmosin tendera. Shteti ligjor vendoset edhe me frikë, pra se arrestohesh, pra që të jenë të kujdesshëm kur firmosin se futesh brenda në qeli. Më parë thoshin zyrtarët aman më fut te komisioni, tani nuk guxojnë se kanë frikë prangat.
Më pak fjalë mund të them se SPAK ka një drejtues që është shumë korrekt. Altin Dumani nuk don t’ia dijë fare për presionin. E njoh personalisht dhe nuk ia ndjen fare nga presioni i mafies apo i politikës.