Letër e hapur për ambasadoren Yuri Kim

Nga Alba Kepi

Asgjë diplomatike në diplomacinë tuaj Ambasadore Yuri Kim. Dy orë para mbylljes së fushatës zgjedhore Ju përdorni “sfurkun” për të treguar preferencën tuaj. E kjo preferenca juaj është përgjegjësja kryesore që Ambasadorët e huaj të jenë sot mbi shtetin shqiptar, mbi kufijtë institucional të diplomacisë e të trajtojnë popullin tonë si një koloni. A e keni pyetur veten, se do Ju takonte të flisnit nëse ky sistemi që ju po mbështesni do të ishte i shëndetshëm e kombëtar?

Shqiptarëve që ju i drejtoheni si koloni, me tweet pro pushtet qeverisjes, do ishte mirë t’ju shpjegonit se çdo ndodhte në atdheun tuaj, në SHBA demokratike, nëse një qytetar amerikan do të ishte nën patronazhimin e një amerikani tjetër që e kërcënon me vend pune e gjoba, nëse nuk voton për partinë e qeverisë!

Pritem të lexonim tweet e juaja kur gazetarët shqiptarë dhunoheshin verbalisht e kërcënoheshin fizikisht, por nuk ndodhi, edhe pse koha e shkuar e kësaj fjalie nuk është korrekte. Pritem të tweet-onit të gjitha proceset e pambyllura në SPAK që shteti juaj ka investuar për ta reformuar, por nuk ndodhi. Pritem të tweet-onit raportet e inteligjencës për sistemin mafioz e korruptiv që ka pushtuar ekonominë shqiptare, por nuk ndodhi!

Pritëm të tweet-onit orientimin e rrezikshëm gjeopolitik që po merr Shqipëria e të kujtonit parimet e NATO-s, por nuk ndodhi! Pritem të tweet-onit makinat me euro e ushqime, furgonat e kamionët e shtetit, në orar të punës shtetërore, të shfrytëzuara për qëllime elektorale të qeverisë, por nuk ndodhi! Pritem të tweet-onit duke kujtuar se banesat e tërmetit janë ndërtuar me financimet e huaja e me taksat e shqiptarëve e jo me paratë e partisë e për votë elektorale.

Pritëm të tweet-onit se nuk ka gjë më të shëmtuar sesa ato shumëkateshet betoni, buzë themeleve të identitetit arkitektonik e historik të kombit, por ju preferoni weekend në bregdetin Jon. Pritëm t’i dëgjojë veç një herë aktivistët e Teatrit, punëtorët pa sindikata, invalidët pa mbrojtje, emigrantët pa të drejtë vote, të infektuarit me Covid pa qendër votimi, por preokupimi juaj shkon për emra të përveçëm. Nuk bëhet diplomacia me tweet zonja Ambasadore e shqiptarët nuk janë koloni. Ju qëndroni në kolltukun tuaj e shqiptarët me votën e tyre të lirë do bëjnë zgjedhjen që meritojnë. Por Ju respektoni lirinë e shqiptarëve, e cila nis aty ku merr fund e juaja!

SHKARKO APP