Letra e ambasadës franceze për Ramën, Basha: Sulmet ndaj BE nuk mbulojnë dështimin
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka reaguar për sulmet që kryeministri Edi Rama ka bërë ditët e fundit ndaj BE-së në lidhje me vaksinën anti-covid, ku edhe sot pati një qëndrim kritik edhe ambasada e Francës në vendin tonë.
Basha thotë se Rama po sulmon BE për dështimet e tij, si dhe përmend se është po qeveria e Ramës që u dha qytetarëve shqiptarë ndihmën më të ulët nga çdo vend tjetër.
Nga ana tjetër, Basha garanton se më 25 prill do të bëhet ndarja nga e keqja dhe që Shqipëria do të vijojë me orientimin europian.
Postimi i plotë
E turpshme që Tirja i qeverisë sulmon BE dhe vendet anëtare për dështimet e tij. Nuk është faji i BE që Shqipëria është vendi më i korruptuar në Europë. Nuk është faji i BE që Tirja i qeverisë u ka dhënë qytetarëve ndihmën më të ulët nga çdo vend tjetër.
Nuk është faji i BE që Tirja i qeverisë i braktisi shqiptarët në kohën e tërmetit, pandemisë dhe krizës ekonomike. Nuk është faji i BE që Rama është një dështim në çdo gjë. Sulmet ndaj BE dhe vendeve anëtare nuk e mbulojnë dot dështimin e tij.
Ne i jemi përjetë mirënjohës BE për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në momente të vështira për vendin. 25 prilli do të jetë ditë e ndarjes nga e keqja dhe e orientimit europian të Shqipërisë.