Letra e opozitës, PS zyrtarisht kundër OSBE. Gjiknuri: Nuk firmos letra të njëanshme
Partia Socialiste ka dalë zyrtarisht kundër rekomandimeve të OSBE dhe refuzon rolin e ndërkombëtareve në zgjidhjen e krizës politike me marrëveshjen e 5 qershorit.
“Letër e njëanshme e retorikë politike”, kështu e ka konsideruar përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, letrën e opozitës së bashkuar për OSBE/ODIHR. Në mbledhjen e radhës së këshillit politik Gjiknuri u shpreh se nuk mund të firmos letra të njëanshme, të cilat në këndvështrimin e tij janë vijim i retorikës politike.
Gjiknuri kërkoi nga opozita e bashkuar të sjellë një draft propozim konkret, pasi vetëm në këtë mënyrë mund t’i drejtohen OSBE/ODIHR.
“ODIHR i drejtohemi vetem me produkt konkret. Pres propozimet tuaja konkrete per amendamentet. Tek ODIHR drejtohemi për mosmarrëveshjet për draftet, jo mosmarrëveshje teorike. Sipas 14 Janarit, ODIHR i kërkohet opinion për cështje të administrimit zgjedhor”, -mësohet të jetë shprehur Gjiknuri në mbledhjen e Këshillit politik.
Opozita e Bashkuar paraqiti në mbledhjen e Këshillit Politik një kërkesë konkrete për të marrë asistencën e OSBE\ ODIHR për disa çështje themelore për të cilat palët nuk bien dakord. 5 pyetjet kryesore, të ngritura në kërkesën e paraqitur nga opozita, kërkojnë përgjigje për:
1. A përputhet me standardet ndërkombëtare mekanizmi aktual i Kodit për koalicionet dhe formula e shpërndarjes së mandateve?
2. A i lejon listat e hapura mekanizmi dhe formula aktuale dhe a është në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR?
3. A mund të ndryshohen njëanshmërisht rregullat zgjedhore 6 muaj para zgjedhjeve?
4. A minon barazinë në garë dhe a bie ndesh me disa standarde të OSBE/ODIHR ndryshimi i njëanshëm i rregullave shumë afër zgjedhjeve?
5. Në kushtet e mosdakordësisë, cila është një zgjidhja në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR për zgjedhje demokratike?
Në letrën drejtuar OSBE/ODIHR, ku shpjegohet edhe qendrimi i palëve, opozita thekson se koha e përgjigjes është shumë e rëndësishme.
https://arkiva.kohajone.com/ndryshimi-i-rregullave-para-zgjedhjeve-opozita-e-bashkuar-leter-osbe-odihr-it-per-5-ceshtje-kyce/