Letra e plotë e Tom Doshit drejtuar kryeprokurorit Adriatik Llalla:

Siç dihet sëfundi Prokuroria për Krime të Rënda, mbi bazë të Urdhërit Tuaj ka nisur hetimin kryesisht mbi deklarimet e mija, se ka pasur një tentativë për vrasje ndaj meje dhe një tjetër deputeti, disa muaj më pare të porosituar nga Zoti Ilir Meta Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Hetimi i kësaj çështje po vijon intensivisht dhe konstatohet lehtësisht se publiku njihet pothuajse online me çdo detaj të veprimtarisë hetimore.

Në këtë çështje janë pyetur edhe funksionarët më të lartë të vendit, të cilët janë të përfshirë në çështje si persona që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, përveç dyshimeve të konkretizuara prej meje.

Po ashtu së paku në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit është e domosdoshme që të pyetet edhe ish drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda si dhe Ju që jeni Prokuror i Përgjithshëm.

Për sa mësipër, duke qenë se:

* në çështje (në cilësitë e sipërpërmëndura) janë të përfshirë aktorët kryesor politik vendimarrës në vend dhe drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda si dhe Prokurori i Përgjithshëm

* i denoncuari prej meje si porositës i vrasjes është funksionari më i lartë i Shtetit – pas Presidentit të Republikës

atëherë është mëse e kuptueshme që çdo konkluzion i këtyre hetimeve do jetë në mënyrë të bazuar i pabesueshëm (!), pasi çdo kujt i shkon ndërmend që krerët më të lartë të legjislativit dhe ekzekutivit ushtrojnë trysninë e nevojshme për të diktuar rezultatin e hetimeve, siç edhe kanë vepruar deri më tani (janë të njohura intervistat, deklaratat e prononcimet zyrtare të tyre në lidhje me këtë ngjarje se sipas tyre gjithshka është trill!).

Pabesueshmëria e proçesit gjithashtu është e dukshme edhe nga takimet e bëra publike të tyre me Ju në Kryeministri.

Përveç kësaj, hetimi i kësaj çështje nga vartësit e drejtuesit të Prokurorisë për Krime të Rënda (deri para disa ditësh) është tjetër detaj që minon besueshmërinë e proçesit në sy të publikut dhe timen veçanërisht.

Gjithashtu edhe qënia Juaj në cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërkohë që si edhe drejtuesit e lartë politik të vendit jeni person që ka dijeni për rrethanat e hetimit (e madje sipas meje edhe i dyshuar që keni bërë me dije të dyshuarin për detaje të ngjarjes që ju kam pasë bërë me dijeni) edhe si element i vetëm dhe e bën proçesin të pabesueshëm.

Zoti Prokuror i Përgjithshëm

Është e gjithëpranuar, sipas edhe standarteve ndërkombëtare, se drejtësia është edhe perceptim. Si e tillë, në çështjen konkrete, çdokush nuk e perception si drejtësi çdo lloj vendimi të marrë nga prokurorët tanë në kushtet kur çështja ka lidhje dhe interesa me drejtuesit më të lartë politik të vendit.

Për sa mësipër, sygjeroj e kërkoj që në hetimin e çështjes të përfshihen prokuror dhe ekspert ndërkombëtar(me dijeni te posacme), të cilët do jenë garanci për besueshmërinë e konkluzionit të hetimeve.

Për këtë zgjidhje në vendin tonë ka patur raste që gjithsesi kanë rezultuar shumë efikase, sjell si shëmbull:hetimin e vrasjes së deputetit Azem Hajdari apo dhe hetimin e çështjes së 21 Janarit.

Po ashtu, kjo zgjidhje (duke përfshirë edhe prokuror dhe ekspert ndërkombëtar) diktohet edhe në interpretim të neni 26 dhe 17 të Kodit të Proçedurës Penale, pasi duke qenë se organ i Prokurorisë është i centralizuar me Prokurorin e Përgjithshëm në krye të saj, ky i fundit ka shfaqur qoftë edhe me mosveprim mendim mbi objektin e proçedimit dhe organi i prokurorisë ka arsye të rëndësishme njëanshmërie.

Tom Doshi

SHKARKO APP