Letra e Ramës, Boçi për ”KJ”: Opozita pengon marrëzinë, Rama tërheq zvarrë qytetarët

Nga: Redjon Shtylla

Mëngjesin e së shtunës, kryeministri i vendit, Edi Rama u zgjua me një letër për demokratët. Në letrën e 7-të publike, disa orë para se të çelë fushatën zgjedhje për 30 qershorin, Rama shtroi pyetjen: A mundet që zgjedhjet demokratike të bëhen vetëm nëse do opozita? Nga ana tjetër, Rama tha se nuk ka njerëz të zakonshëm që të bëhen pjesë e një marrëzie kaq të jashtëzakonshme. Kërcënimet me burg nuk munguan as në këtë letër.

”Koha Jonë”, kërkoi reagimin e opozitës politike. Në një prononcim mbi këtë letër dhe mesazhet e Ramës, ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, thotë se gjendja e rënduar pisko-politike e Ramës, ka ”prodhuar” këtë letër. Më tej ai thotë se Rama është peng i marrëzisë së vet dhe delirimeve pa fund.

”Rama është në një gjendje të rënduar psiko-politike dhe trajtimi më i mirë për të, kur projeksionet e tij i hedh në letër, është shpërfillja. Ai është sot peng i marrëzisë së vet dhe delirimeve pa fund. Zgjedhjet demokratike nuk mund të bëhen duke i blerë, vjedhur dhe grabitur votën qytetarëve. As duke aktivizuar falangat e krimit apo të bandës policore të qeverisë”,-thotë Boçi për ”Koha Jonë”.

Duke ju përgjigjur pyetjes së Ramës se: A mundet që zgjedhjet demokratike të bëhen vetëm nëse do opozita, Boçi thekson se opozita nuk përcakton se kur bëhen zgjedhjet por që pengon marrëzinë e një hajduti serial të bëjë farsa zgjedhore.

”Opozita nuk është ajo që përcakton se kur bëhen zgjedhjet por është ajo që pengon marrëzinë e një hajduti serial të bëjë farsa zgjedhore. Pengon të Marrin, që ai nëpërmjet proceseve false të sanksionojë pushtetin e një një kaste të korruptuar që tërheq zvarrë qyetarët e zakonshëm dhe para lirive dhe të drejtave të tyre kushtetuese protestuese e refuzuese ndaj padrejtësisë, hajdutërisë, babëzisë qeveritare u tund atyre prangat e regjimit që ai po instalon”.

SHKARKO APP