Letra/ PD kërkon miratimin nesër të Rezolutës për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerit
Partia Demokratike kërkon që parlamenti të shqyrtojë dhe miratojë në seancën e ditës së neserme projektrezolutën “Për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerit, si dhe mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut”.
Kjo bëhet e ditur përmes një letre që kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka i ka dërguar kryetarit të parlamentit Ilir Meta, vetëm një ditë para seancës.

Kërkesa e opozitës vjen ndërsa më 5 nëntor pritet të kremtohet lumturimi dhe lartësimi i 38 martirëve të ekzekutuar gjatë regjimit komunist. Për këtë arsye,duke kujtuar persekutimin e klerit shqiptar nga regjimi komunist, Paloka shkruan se grupi parlament i PD vlerëson të domosdoshme që parlamenti shqiptar të dënojë në mënyrë të posaçme krimet që regjimi komunist ka bërë ndaj klerit në Shqipëri.
“Është fakt i njohur historik që regjimi diktatorial i Enver Hoxhës e konsideronte fenë si kundërshtare të hapur të ideologjisë komuniste. Lufta ndaj klerit qe gjithëpërfshirëse dhe propaganda njohu nivelet e saj më kërcënuese në këtë rast. Të gjithë klerikët u dënuan për agjitacion e propagandë, për veprimtari armiqësore në dëm të “popullit dhe atdheut”. Shteti mori masa të zhdukte çdo trajtë të të menduarit, që mund të përbënte format më të egra të persekutimit të klerikëve, si: vrasjet, torturat, burgosjet dhe denigrimin e figurës së tyre. Dora e egër ateiste rëndoi fuqishëm mbi klerin në Shqipëri, duke shtuar vazhdën e krimeve të regjimit komunist. Klerikët u zhveshën, u torturuan, u burgosën dhe u internuan, gjithashtu, mjaft prej tyre, u martirizuan”- shkruan Paloka në letrën e tij drejtuar kryeparlamentarit Meta.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike vlerëson të domosdoshme që Kuvendi i Shqipërisë të dënojë në mënyrë të posaçme krimet që regjimi komunist ka bërë ndaj klerit në Shqipëri.
“Janë evidentuar qindra klerikë që kanë qenë viktima të drejtpërdrejta të krimeve të komunizmit, si pasojë e veprimtarisë së tyre.
Për këtë arsye, bashkëlidhur do të gjeni Rezolutën e Kuvendit për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerit, si dhe mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut. Gjithashtu, kërkojmë që kjo Rezolutë të shqyrtohet dhe miratohet nga seanca plenare brenda datës 4 nëntor 2016”- shkruan Paloka.
Lumturimi i klerikëve në Vatikan
Procesi dioqezan i filluar me 10 nëntor 2002 e mbyllur me 8 dhjetor 2010, u analizua nga ekspertet e Kongregatës për Çështjen e Shenjëtorëve dhe me dekretin që Papa Françesku firmos më 26 prill 2016 u dekretua se mund të shpallen të Lumë. Vendi i kremtimit do të jetë Sheshi i Katedralës së Shën Shtjefnit në Shkodër, ndërsa riti i Lumturimit do të udhëhiqet nga Prefekti për Çështjen e Shenjtërve, Eminenca e tij Kardinal Angelo Amato.
KOHA JONË SONDAZH

