Lezhë, Beqaj: Trefishim i flotës së autoambulancave dhe personelit
Rishpërndarja e flotës së autoambulancave, por edhe trefishimi i atyre ekzistuese, si dhe rritja e numrit të personelit me infermierë dhe shoferë, do të bëjë të mundur që çdo urgjencë mjekësore në Qarkun e Lezhës, të marrë shërbim më cilësor shëndetësor në një kohë më të shpejtë.
Këtë deklaratë e bëri Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë prezantimit të riorganizimit të Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore për këtë qark.
“Po kalojmë në këtë model të ri, i cili njëherësh, do të përqëndrojë komandën duke dekoncentruar prezencën e autoambulancave në territor. Dhe me këtë rishpërndarje, kemi një mbulim jo më shumë se sa 15 minuta”. Këtu në Lezhë, arrijmë në një autoambulancë për 15 mijë banorë, ndryshe nga qarqe të tjera, ku ky tregues është një automjet deri në 25 mijë, pasi relievi dhe treguesit demografikë e kushtëzojnë këtë vendosje”. Sipas tij, më futjen e këtij sistemi të ri të urgjencës, i gjithë ekipi do të jetë i trajnuar dhe në funksion të qytetarit.
Po ashtu, sistemi i ri i urgjencës mjekësore ka parashikuar shpërndarjen e autoambulancave edhe në zonat turistike të Lezhës, pasi në sezone të ndryshme, popullsia pëson luhatje të ndjeshme, dhe për pasojë, nevoja për shërbim shëndetësor ndryshon. Vendnisja e automjeteve specifike, sipas llojeve të urgjencës është një tjetër risi e prezantuar nga kreu i shëndetësisë. Sipas tij, në zonat ku ka aksidente, duhet të ketë personel dhe mjete të specializuara për traumat, në mënyrë që i aksidentuari të mos ketë dëmtime gjatë lëvizjes.
Nga ana e tij, Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj pohoi se me shpërndarjen e re të autoambulancave, çdo pacient do ta përfitojë më shpejt shërbimin mjekësor. Ai bëri me dije se numri i infermierëve do të rritet nga 8 në 17, dhe ai i shoferëve nga 5 deri në 13, në mënyrë që të sigurohet mbulim i plotë dhe cilësor i territorit.
KOHA JONË SONDAZH

