Liderët e opozitës në burg, ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës: Mbështesim SPAK-un

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner dhe ambasadorja e Francës, Catherine Suard shprehën mbështetjen për punën e SPAK-ut, ndërsa vlerësuan se procesi i integrimit është i rëndësishëm për transformimin e shoqërisë shqiptare. I pyetur mbi ndikimin që do të kenë zgjedhjet e ardhshme në proceset integruese të Shqipërisë në BE, ambasadori Bergner u shpreh se mirëpret hapat e fundit që janë marrë nga ana e qeverisë.

”Mendoj që është një tregues i fortë për besimin që do kenë shtetet anëtare të BE-së ndaj Shqipërisë. Një kapitull është hapur dhe priten që të hapen edhe kapituj të tjerë në të ardhmen që do të thotë negociatat e vërteta do të fillojnë dhe ky proces transformimi që Shqipëria po i nënshtrohet, përforcimi i vlerave europiane do të vazhdojë të thellohet. Ne vlerësojmë punën që ekipi shqiptar ka bërë deri tani”, tha ai.

Për arrestimet në nivele të larta të politikës që ka bërë SPAK, ambasadori gjerman u shpreh se ”qëndrueshmëria e institucioneve të fuqishme, jo vetëm SPAK, por edhe institucione të tjera ligjzbatuese, është pjesë e transformimit të aksesit në BE. Ne e mbështesim dhe e vlerësojmë punën e SPAK në këtë aspekt”, shtoi ai.

Ambasadorja franceze nga ana e saj, u shpreh se BE-ja mbështet SPAK në punën e rëndësishme që po bën. ”Ashtu siç e theksoi presidenti Macron ne vizitën e tij në Shqipëri, jemi të lumtur për hapat e Shqipërisë në BE dhe jemi të bindur që ato do vazhdojnë. Procesi i integrimit është i rëndësishëm për transformimin e shoqërisë shqiptare. Në këtë proces transformimi, Franca dhe Gjermani u japim ndihmë. Besoj se jemi dakord që ne mbështesim punën e SPAK, BE e mbështet në punën e rëndësishme që po bën”, tha diplomatja franceze.

SHKARKO APP