Lidhjet e politikës me kri*in, zbardhet kërkesa e PD për mocion me debat në Kuvend: Po minohet demokracia

Grupi parlamentar i PD-së i drejtuar nga Gazment Bardhi ka depozituar kërkesën në Kuvend për një mocion me debat përsa i takon lidhjeve të politikës me krimin. Në emisionin investigativ Report në ”RAI3”, ku ndër të tjera ishte edhe një deklaratë e Arben Ahmetaj, i cili nga arratia akuzonte kryeministrin Edi Rama se kishte takuar në zyrën e tij përfaqësues të mafies.

Në kërkesën e depozituar thuhet se mbështetja që individet me rekorde kriminale i japin kandidatëve apo partive politike nuk vjen aspak falas. Gazment Bardhi thekson se pikërisht lidhjet e krimit me politikën po minojnë demokracinë në vend, ndërsa kanë ulur besueshmërinë e qytetarëve te institucionet publike.

“Kontrata me krimin dikton detyrimin e funksionarëve që zgjidhen a emerohen në funksione publike, që më pas të krijojnë lehtësira për kompanitë e këtyre individëve apo familjarëve të tyre për të përfituar tendera publike, konçesione, leje, liçenca dhe favorizime të ndryshme nga paratë apo pasuritë e taksapaguesve shqiptarë. Në disa raste këta individë rezultojnë të përfshirë drejtperdrejtë si pronarë apo administratorë të këtyre kompanive.

Raportet e organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë OSBE/ODIHR, flasin për lumenj parash që kalojnë të pakontrolluara nëpër duart e kryetarëve të partive dhe kandidatëve të tyre gjatë proçeseve zgjedhore. Një tjetër formë që krimi ka zgjedhur për të vazhduar të ruajë pozicionet e tij të forta në politikë është edhe vendosja në listat e kandidatëve të personave anonimë, miq apo të njohur të tyre. Për shkak të mbështetjes nga krimi, këta individë ia kanë dalë të marrin më shumë vota se politikanë me karriere të gjatë politike, si ish-kryeministra, ish-ministra, ish-kryebashkiakë, ministra dhe deputetë në detyrë”, thuhet ndër të tjera në kërkesë.

Po ashtu Bardhi shprehet se faktet provojnë se sa thellë ka depërtuar krimi në jetën politike të vendit duke u shndërruar në një kërcënim serioz për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut.

“Kriminalizimi i jetës politike dëmton rëndë besimin e qytetareve tek institucionet publike dhe përbën një regres të theksuar në marrëdhëniet e shtetit shqiptar me partnerët e saj ndërkombetare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikes dhe Bashkimin Evropian. Qytetaret shqiptare duan dhe meritojnë politikanë me integritet të lartë, pa rekorde kriminale në të kaluaren e tyre dhe pa kontakte me elementë të krimit te organizuar. Është absurde të mendohet që një gjyqtar a prokuror shkarkohet nga detyra nëse ka kontakte me elementë të krimit të organizuar, ndërsa një deputet, ministër a kryetar bashkie jo vetëm nuk mund të vazhdojë qetesisht detyrën e tij, por mund të mbeshtetet te këta individe për të garantuar fitoren e një mandati të ri”, shprehet Bardhi.

 

SHKARKO APP