Linda Rama në Samitin ”Forbes”: Jemi vendi me rritjen më të madhe të turizmit në Europë

Në Abu Dhabi po zhvillohet samiti i “Forbes 2025”. Revista e njohur amerikane ka njoftuar edhe pjesëmarrjen e bashkëshortes së kryeministrit shqiptar, Linda Rama. Ekonomiste dhe avokate për të drejtat, Linda Rama bisedoi me Mika Brzezinski mbi temën ”Fuqia pas Progresit”.
Bashkëshortja e kryeministrit ka theksuar që problemi më i madh që trashëgoi komunizmi nuk ishte varfëria, por traumat sociale. ”Pas kaosit dhe pasigurisë të vitit 1991 nga rënia e sistemit, mësimet më të mëdha i nxorëm nga pësimet dhe të mësosh nga pësimet është e dhimbshme dhe e kushtueshme”, u shpreh ajo.
”Në tranzicionin tonë nuk kemi qenë vetëm, bota demokratike ka qenë dhe është me ne. Shqiptarët dhe Shqipëria ja kanë dalë sot të ulen në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Jemi vendi me rritjen më të madhe të turizmit në Europë. Vizitoni Shqipërinë. Nëse vini një herë, e dimë që do të na vizitoni përsëri’‘, tha Rama, duke e mbyllur fjalën e saj me ftesën për të vizituar Shqipërinë. Të ftuar në samit mësohet se janë edhe personalitete të politikes, artit, shoqërisë civile, biznesit nga të paktën 50 vende të botës.