Lindita Nikolla: Bashkia e Kamzës krijoi mbështetje sociale nën drejtimin e Rakip Sulit
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se Partia Socialiste është forca politike që do të çojë përpara mbështetjen për qytetarët dhe ekonominë e vendit. Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale, për zgjedhjet vendore të 14 majit që zhvilloi sot Partia Socialiste në Kamzë, Nikolla tha se me PS-së u dyfishua fondi për ndihmë ekonomike për familjet në nevojë dhe për familjet me 3 fëmijë.
Po ashtu Nikolla tha se paketa e ndihmës sociale vijoi në bashkinë Kamzë nën drejtimin e kryebashkiakut Rakip Suli, me mbështetjen e grave kryefamiljare.
“Gratë kryefamiljare marrin falas bonusin e qirasë”, tha ajo, teksa vuri në dukje se, programi i Rindërtimit në këtë bashki ngriti nga themelet 426 shtëpi individuale, ndërsa 270 të tjera po ndërtohen në Valias.
Ajo ftoi qytetarët të votojnë Rakip Sulin për një mandat të dytë në krye të bashkisë Kamzë si zgjedhja më e mirë, për një të ardhme më të mirë për qytetarët e kësaj bashkie dhe zhvillimin e Kamzës.