Lindita Nikolla pret ministrin kroat: Të rrisim bashkëpunimin dypalësh në fushën e drejtësisë

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti ministrin e Drejtësisë dhe Administratës Publike të Kroacisë, Ivan Malenica, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Nikolla vlerësoi partneritetin strategjik midis Shqipërisë dhe Kroacisë, nënshkruar në 2018, dialogun intensiv politik dhe marrëdhëniet shumë të mira e miqësore me Kroacinë dhe nënvizoi se të dy vendet ndajnë të njëjtin vizion për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria i është mirënjohëse Kroacisë për mbështetjen e vazhdueshme të integrimit evropian të Shqipërisë dhe çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Kryetarja Nikolla po ashtu e vuri theksin edhe në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar midis të dy vendeve, duke synuar që ky bashkëpunim të ngrihet në nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit politik. Shqipëria mirëpret më shumë investime dhe projekte kroate në sektorë strategjikë, si energjia, turizmi, infrastruktura, bujqësia etj.

Bashkëpunimi në fushën e drejtësisë është një aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimit dypalësh dhe i shërben konsolidimit të sistemit si edhe kontributit të organeve të drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe mbështetjen e qeverisjes së mirë.

Shqipëria dhe Kroacia bashkëpunojnë edhe në çështjet rajonale dhe mbështetjen e rolit të Kosovës në rajon e më gjerë. Ministri Malenica falenderoi Kryetaren Nikolla për pritjen dhe vlerësimin e marrëdhënieve e të bashkëpunimit dypalësh, vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e reformave, sidomos reformës në drejtësi dhe përgatitjen e magjistratëve, vlerësoi nevojën e ngritjes së bashkëpunimit ekonomik në nivelin e bashkëpunimit të shkëlqyer politik dhe rikonfirmoi mbështetjen e vendosur të Kroacisë për integrimin evropian të Shqipërisë.

SHKARKO APP