Lindita Nikolla vizitë në Greqi: Kemi marrë mbështetje për Integrimin në BE

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla po zhvillon një vizitë zyrtare në Greqi, ku është pritur nga kryeparlamentari i Greqisë, Constantine An. Tassoulas. Në këtë takim është diskutuar mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy palëve, teksa Tassoulas ka uruar Nikollën për detyrën e re. Nikolla ka vlerësuar mbështetjen që Greqia ka treguar për rrugëtimin evropian të vendit tonë.

”Greqia është një fqinje e çmuar, një mike historike dhe e qëndrueshme, partnere e rëndësishme e Shqipërisë në rrugën drejt demokracisë, përparimit dhe integrimit evropian. Bashkëpunimi midis dy vendeve tona është strategjik dhe ne jemi të vendosur që ai të vazhdojë të forcohet në frymën e fqinjësisë së mirë, në të mirë të interesave tona të përbashkëta, partneritetit të ngushtë në NATO dhe perspektivës së përbashkët evropiane.

Shqipëria i është mirënjohëse Greqisë për mbështetjen e madhe, të qartë dhe të vendosur të procesit të integrimit evropian, çeljes së negociatave dhe jemi të bindur se këtë mbështetje e kemi edhe për mbajtjen e Tryezës së parë Ndërqeveritare gjatë Presidencës sllovene, brenda dhjetorit 2021.

Vendet tona i lidhin edhe dy ura të fuqishme miqësie: minoriteti grek në Shqipëri, i cili gëzon të gjitha të drejtat që gëzojnë qytetarët shqiptarë dhe komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh të të huajve dhe që prej tridhjetë vjetësh kontribuojnë për familjet e tyre, për ekonomitë dhe sistemet e mirëqenies së të dy vendeve”, u shpreh Nikolla.

Lindita Nikolla e falënderoi Tassoulasin edhe për ndihmën që Greqia i vuri në dispozicion vendit tonë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 si edhe për dhurimin e mbi 120 mijë dozave të vaksinave, duke ndihmuar për përballimin dhe daljen nga pandemia e Covid-19. Ndërkohë, Nikolla ka theksuar edhe kryetarin e bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis. Lindita Nikolla ndodhet në Greqi, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, që zhvillohet në Athinë, në datat 20-23 tetor 2021.

SHKARKO APP