Lindita Nikolla vizitë zyrtare në Turqi, takon homologun Mustafa Şentop

Me ftesë të Kryetarit të Asamblesë së Madhe të Republikës së Turqisë, Mustafa Şentop, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, po zhvillon një vizitë zyrtare në Turqi. Në përbërje të delegacionit janë edhe deputetët Shpresa Marnoj dhe Shpëtim Idrizi.

Vizita nisi me vendosjen e kurorës në mauzoleun e Mustafa Kemal Atatürk, themeluesit, reformatorit dhe modernizuesit të madh të Republikës së Turqisë.

Në Pallatin e Asamblesë së Madhe të Republikës, Kryetarja Lindita Nikolla u prit nga Kryetari Mustafa Şentop. Kryetarja Nikolla nënvizoi se “Lidhjet midis Shqipërisë dhe Turqisë janë të thella, të fuqishme, tradicionale dhe vëllazërore. Bashkëpunimi parlamentar midis të dy vendeve është i shkëlqyer dhe ka sfiduar edhe kufizimet dhe vështirësitë e pandemisë. Asambleja dhe Kuvendi po zgjerojnë e intensifikojnë bashkëpunimin parlamentar dhe nxisin e mbështesin bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat. Vizita juaj në Tiranë në shkurt 2021 si dhe vizita ime në Ankara janë shprehje të qarta të vullnetit politik për intensifikimin dhe thellimin e bashkëpunimit parlamentar. Ne inkurajojmë edhe bashkëpunimin e shkëlqyer midis grupeve parlamentare të miqësisë dhe midis komisioneve e shërbimeve parlamentare.”

Kryetarja Nikolla përshëndeti nënshkrimin e “Deklaratës së Përbashkët Politike”, e cila ngriti marrëdhënien dypalëshe me nivelin e partneritetit strategjik, dhe konfirmoi vullnetin e të dy vendeve për hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi.

Shqipëria vlerëson partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet tradicionale shumë të mira e miqësore me Turqinë, në shërbim të fqinjësisë së mirë, zhvillimit, stabilitetit, paqes e përparimit në rajon e më gjerë. Shqipëria dhe Turqia janë partnerë të ngushtë e të besueshëm në NATO dhe po punojnë për të arritur objektivin kombëtar, anëtarësimin në BE.

Turqia është partneri i katërt tregtar i Shqipërisë. Investimet turke kapin shifrën e 3.6 miliard dollarëve, ndërkohë që rreth 15 mijë shtetas shqiptar punojnë në kompanitë turke në Shqipëri.

SHKARKO APP