Lirimi i Belerit, OMONIA letër Ramës: Zgjidh ngërçin, pranoni kërkesën e lejes për betimin në bashki
OMONIA ka dalë me një reagim publik lidhur me protestën e zhvilluar më 14 gusht në Himarë për lirimin e Fredi Belerit, ku pjesë ishin edhe kryetari i bashkisë së Athinës dhe ai i Selanikut. Në deklaratë theksohet se protesta nuk u organizua nga politikanët grekë, por nga personat që i vunë frenat planeve të qeverisë ”Rama 3”. Ndër të tjera OMONIA i kërkon kryeministrit Edi Rama që të zgjidhë ngërçin dhe të pranojë kërkesën që t’i jepet disa orë leje për betim Fredi Belerit.
Deklarata e plotë
Një protestë, e cila fare mirë mund të cilësohet si reklamë e moralit dhe vlerave demokratike, u zhvillua në Himarë të hënën, më 14 gusht, me sloganin kryesor lirimin e menjëhershëm të kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri. Më shumë se 1500 persona nga zonën e Bashkisë Himarë, si dhe miq nga Greqia dhe Shqipëria, bashkuan zërat e tyre në pedonalen qëndrore të Spilesë dhe i kërkuan qeverisë shqiptare të respektojë vullnetin e popullit të Himarës, siç u reflektua në votimet e 14 majit.
Krahas anëtarëve të këshillit bashkiak të koalicionit zgjedhor dhe degës vendore të OMONOIA-s, folën edhe ish-ministri i drejtësisë z. Ylli Manjani, përfaqësuesi i Partisë Demokratike z. Ivi Kaso, kryetari i përgjithshëm i OMONOIA-s, z. Vasilis Kajos, kryetari i PBDNJ dhe deputeti, z. Vangjel Dule, kryetari i bashkisë së Igumenicës, z. Ioannis Lolos, kryetari i bashkisë së Selanikut, z. Konstantinos Zervas dhe kryetari i bashkisë së Athinës, z. Kostas Bakojanis. Në fund, aktiviteti u mbyll me një mesazh audio nga kryetari i bashkisë së Himarës, z. Fredi Beleri.
Na nderuan me praninë e tyre, deputeti i Zonës A’ të Selanikut i Partisë Demokracia e Re z.Konstantinos Giulekas, deputeti i Thesprotisë i Partisë Demokracia e Re z. Vassilis Giogiakas, deputeti i Atikës Lindore i Partisë Zgjidhja Helene. z. Stylianos Fotopoulos.
Fatkeqësisht, nuk munguan as mosmarrëveshjet pasi policia lokale, në përpjekje për të mbyllur zërin e protestës por edhe për të na provokuar, u përpoq të pengonte zhvillimin e protestës, duke iu përgjigjur negativisht kërkesës së depozituar me justifikimin qesharak se nuk qe deklaruar adresa e saktë. Të gjithë ne në Himarë e dimë se pas këtyre skemave qëndron agjenti i Edi Ramës dhe orkestruesi i çështjes së sajuar ndaj Fredi Belerit dhe survejimit të paligjshëm të tij dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe ai nuk është askush tjetër veçse shefi i policisë së Himarës, Ermal Ajdini.
Ajo që e karakterizon protestën tonë si shumë të suksesshme, përveç organizimit të shkëlqyer dhe pjesëmarrjes masive, është fakti se ajo provokoi ndërhyrjen e kryeministrit shqiptar, z. Edi Rama, i cili nuk kishte as taktin e duhur për të pritur të kalonin 24 orë nga zhvillimi i protestës, duke treguar kështu dëshpërimin dhe shqetësimin e tij. E vërteta është se zoti Rama ka detyrimin prej kohësh të bënte një ndërhyrje pasi gjatë një konference për shtyp pas zgjedhjeve lokale kishte premtuar se do të mbante një qëndrim më të detajuar për çështjen e arrestimit të Fredi Belerit pas përfundimit të zgjedhjeve në Greqi, gjë të cilën nuk e bëri por u mjaftua duke u pozicionuar për këtë çështje me artikuj anonimë në median shqiptare që ai kontrollon.
Në postimin e tij të gjatë, zoti Rama ndër të tjera përmend se protesta është organizuar nga politikanët grekë dhe se është e paprecedentë në historinë e Europës. I nderuar zoti Rama, e dimë që është e vështirë, por kapërdijeni, protesta u organizua nga ata që i vunë frena planeve tuaja në 14 maj, nga njerëzit e thjeshtë të Himarës që ju i përbuzni dhe i nënçmoni duke i quajtur një grusht ekstremistësh. Gjithsesi, duhet të biem dakord që është vërtet një situatë e paprecedentë, ashtu si e gjithë çështja për arrestimin dhe paraburgimin e zgjatur të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, z. Fredi Beleri. Së fundi, sa i përket ndarjes së pushteteve dhe drejtësisë së pavarur në Shqipëri, ne banorët e Jeruzalemit e dimë mirë se pengimi i betimit të kryebashkiakut tonë është vetëm vendimi juaj politik dhe nuk ka të bëjë me drejtësinë. Ndaj zgjidhni nyjën gordiane dhe pranoni kërkesën për disa orë leje për betim.
Sa për Himarën dhe himarjotët, mos u shqetësoni, ne do të vazhdojmë të japim leksione etike dhe demokracie dhe do të vazhdojmë të jemi shembull i bashkëjetesës harmonike të grekëve dhe shqiptarëve.
Jemi të gjithë Fredi Beleri!
Natën e mirë zoti Rama!