Lirimi i zyrave të FRD-së, gjykata shtyn vendimin/Shehu: Vijojmë fushatën në këtë seli
Gjykata Administrative ka shtyrë me 5 ditë vendimin për lirimin e zyrave të Frymës së Re Demokratike. Kreu i partisë, Sali Shehu shprehet i bindur se kërkesa e Bashkisë është e jashtëligjshme, duke këmbëngulur se do të vijojë që të bëjë fushatën për 25 prillin, por në ambientet e kësaj selie.
Nga ana tjetër, ai ka edhe një thirrje drejtuar Erion Veliajt, duke thënë se duhet të sillet si kryebashkiak dhe jo si drejtues politik i PS-së për qarkun e Tiranës.
“Që në ditët e para, FRD-ja ka në statut paqen, mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe respektimin e institucioneve, është në përputhje të plotë me filozofinë e një partie në një fushatë zgjedhore. BE ka hartuar një rezolutë që u bën thirrje organeve shtetërore dhe partive politike për qetësi, për një klimë që i duhet t’i shërbejë fushatës zgjedhore, kësaj rezolute FRD i përgjigjet me sjelljen e saj dhe këmbënguljen për t’i dhënë zgjidhje.
Ne kishim depozituar një kërkesë në Gjykatën administrative për të ndaluar aktet e paligjshme të bashkisë dhe u vendos që të bashkohet me shqyrtimin e çështjes në themel, procedurë rutinë, ne e respektojmë, kjo kërkesë e jona e bashkuar me masën e sigurisë, do të shqyrtohet pas 5 ditëve.
Jemi në fushatë zgjedhore, po vazhdojmë fushatën dhe FRD do ketë rezultate spektakolare dhe Aleanca për ndryshim me kryetarët e të cilëve kam pasur një kontakt me telefon. Veliaj të mos sillet si drejtues politik, por si kryetar i Bashkisë, ne jemi në rrugën e ligjit”, tha Shehu.