Lirohen masat për pandeminë. Ora policore nis në 22:00, rihapen fluturimet me Britaninë

Këtë të dielë u mblodh Komiteti Teknik i Ekspertëve për Covid-19, ku u bë një pasqyrim i situatës nga ministrja e Shëndetësisë. Më 13 prill nis muaji i shenjtë i Ramazanit, ndaj dhe Ogerta Manastirliu, tha se ora policore zgjatet dhe nga data 12 mbyllja nis në orën 22:00-06:00.

”Do të zgjasim orën e qarkullimit të qytetarëve do të jetë 22:00 nga nesër 12 prill. Zgjatet me dy orë edhe aktiviteti i barëve dhe restoranteve, por nuk ndryshon asgjë nga protokollet e sigurisë”. Duke bërë me dije se lehtësimet po vijnë si rezultat i situatës po edhe të muajit të shenjtë të Ramazanit, Manastirliu u ka bërë apel qytetarëve të vijojnë zbatimin e masave anti-covid. ”Kemi patur një tjetër arsye që na ka motivuar në vendimin tonë. Lehtësimi i argjerimit për besimtarët myslimanë, në muajin e shenjtë të Ramazanit, që nis në datën 13 Prill. Duke uruar një muaj sa më të lehtë dhe të mbarë, dëshiroj të përsëris thirrjen time që të mbajmë parasysh dhe mos neglizhojmë asnjë moment masat anticovid: distancimi, maskën, higjenën”.

Një tjetër vendim është edhe rihapja e fluturimeve me Britaninë e Madhe. ”Duke marrë në konsideratë përmirësimin e ndjeshëm të situatës së epidemisë në Mbretërinë e Bashkuar një shtet i cili ka pasur një ecuri shembullore sa i përket vaksinimit, e cila është pasyqruar me rënien e ndjeshme të të shtruarve në spitale dhe fataliteteve Komiteti Teknik i Ekspertëve ka propozuar rihapjen e fluturimeve me këtë shtet”,-tha ministrja e Shëndetësisë.

Po ashtu Manastarliu njoftoi se përkundër situatës në rajon, në Shqipëri ka pasur ulje të incidences, të shtrimeve në spitale dhe të vdekjeve. ”Kemi patur një rënie të qëndrueshme të numri të fataliteteve dhe besojmë se për këtë kanë ndihmuar dhe masat e ndërmarra. Ndërkohë që në një analizë të rajonit, vërehet se kurba epidemiologjike ka pësuar një rritje. Shumë vende kanë shtrënguar masat përfshirë këtu fqinjët si Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Për këtë arsye përsërisim thirrjen për të mos ulur vigjilencën dhe vijuar masat. Këshillat e Komitetit të Ekspertëve kanë qenë të duhurat. Masat kanë bërë që të shmangim situata me shifra shumë të larta infektueshmërie. Jemi falënderues ndaj qytetarëve dhe bizneseve për zbatimin e këtyre masave. Po monitorojmë me kujdes situatën për sa kohë që virusi është ende prezent nuk ka asnjë arsye për të ulur vigjilencën. Paralelisht po vijojmë me ritme shumë të mira të vaksinimit”.

Duke folur për procesin e vaksinimit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se sot ka vijuar vaksinimi i moshave mbi 65-vjeç dhe ditë e hënë vijon mbi 60-vjeç, duke u regjistruar pranë mjekut të familjes. Që prej fillimit të vaksinimit anti-covid janë kryer në total 256,848 vaksinime. Vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve do të jenë në fuqi për dy javët e ardhshme.

Vendimet e sotme

1-Zgjatet orari policor deri në 22:00 deri në 06:00, duke nga 12 prilli
2-Zgjatet me dy orë aktiviteti i bareve dhe restoranteve
3-Rihapen fluturimet me Britaninë e Madhe

SHKARKO APP