Lisen Bashkurti: Kryediplomati Grek, Dendias në Tiranë, ndarja e kufirit detar Shqipëri-Greqi
Prof. Lisen Bashkurti –
Tanimë ndarja e kufirit detar midis Shqipërise dhe Greqisë po troket sërish në derë. Për këtë duket që sot vjen në Tiranë Ministri i Jashtën Grek, Dendias. Parimisht dhe praktikisht shtetet bregdetare kur ndajnë hapësira detare midis tyre janë të detyruara të futen në negociata. Kur çështjet nuk zgjidhen me marrëveshje te negociuar, palët i drejtohen institutive të tjera paqësore për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, siç është Arbitrazhi Ndërkombëtar apo Gjykata ndërkombëtare.
Pak kohë më parë, Kryeministri Grek, Micotacis u deklarua në Parlament për shtrirjen e kufirit detar me 12 milje në hapsirat mes Greqisë e Shqipërisë. Në rastin konkret jemi perballe një dëshire të Greqisë për t’i zgjeruar zgjeruar hapsirat detare me 12 milje, pa konsideruar kushtet specifike, të Drejtën e Deteve dhe pa u dakorduar me Shqipërinë, me të cilat ajo i ndan ato hapsira detare. Nëse sjellje të tilla shtetet do të bënim, pra t’i deklaronin njëanshmërisht, pa marrëveshje me shtetet me të cilët ndajnë hapsirat detare kjo do e fuste botën në kaos dhe konflike.
Nga pikpamja diplomatike nisma e palës greke është për tu mirëpritur, sepse synon që Greqia të përcaktojë Zonën Ekonomike Ekskluzive, që është një nga hapësirat detare, krahas shelfit kontinental dhe ujërat territoriale. Greqia ka përfunduar marrëveshje me Libinë, Egjiptin, Italinë e, natyrisht synon te realizojë një gjë të tillë edhe me Shqipërinë e më pas edhe me Turqinë, me te cilën ka probleme më të mëdha në Mesdheun Lindor dhe Egje. Zgjidhje të tilla me interesa strategjike shtetërore nuk mund të bëhen në mënyrë të njëanshme, por përmes dialogut, negociatave ose përmes instituteve për zgjidhjen paqesore të konflikteve, sic janë komisionet ndërkombëtare, arbitrazhi apo gjykata ndërkombëtare e të drejtës së deteve.
Historikisht Shqipëria pati përcaktuar 15 milje detare nga ujrat e brëndshme, por më pas e ka korrigjuar sepse i’u kërkua ndërkombëtarisht që t’i kufizonte në 12 milje. Shqipëria pra, i shtriu aq sa kishte mundësi konkrete. Madje, bazuar në të drejtën ndërkombetare, në raset kur nuk ka shtet përballë ose të bashkëngjur në hapsirat oqeanike, shelfi kontinental me gjithë zonat ekonomike ekskluzive mund të shkojë deri 350 milje.
Në rastin me Shqipërinë, pala Greke ka propozuar të zhvillohen bisedime dhe nëse nuk zgjidhet përmes bisedimeve, mjeti është për t’ju drejtuar një mekanizmi ndërkombëtar. Deri tani, pavaresisht retorikave politike për shkaqe të ndryshme, ose të mediave, konkretisht nuk ka një vendim Grek. Por, ka një dëshire të Greqisë, që në ndarjen e hapsirave detare me Shqipërinë t’u japë ishujve një efekt të plotë dhe të përdorë vijën e mesit në ndarjen e tyre. Ky synim Grek përbën në fakt thelbin e problemit, në rastin konkret, edhe me Shqipërinë.
Ndarja e hapsirave detare midis shteteve fqinjë, parimisht dhe pragmatikisht duhet të mbështetet sepse ndarja e hapësirave detare, krijon mundësi reale që shtetet të shfrytëzojnë efektivisht dhe ekonomisht hapësirat që ju takojnë në bazë të normave të së Drejtës ndërkombëtare, ndërkohë që flitet që Mesdheu apo Adriatiku, hapësirat që ndajmë midis shteteve, kanë pasuri, hidrokarbure, gaz, naftë, pa folur per florën e faunën e pasur Mesdhetare. Pra, rëndësia është e mirë për të gjithë, pasi politikisht do shkarkonte tensionet dhe ekonomikisht do i bënte këto zona te shfrytezueshme. Marrëveshjet e përfunduara apo vendimet a arbitrazheve apo gjyqësore relevante garantohen nga OKB, pasi regjistrohen në OKB, në Departamentin e Çështjeve Oqeanike dhe të Drejtës së Detit, dhe pastaj cdo shtete respekton, mbron dhe shfrytezon hapsirat e veta detare.
Shqipëria i ka te rregulluara ujërat territoriale. Shqiperia, ujërat territoriale i ka te percaktuara dhe kufijt shtetëror i ka te sanksionuara, pavarësisht se, me marreveshjet e pritshme mund të ketë hapsira për korrigjime të pakta të tyre. Ndërkohe, shelfi continental dhe Zonat Ekonomike Ekskluzive nuk ekzistojnë midis dy vëndeve, Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo është ceshtje e negociatave.
Në pjesën veriore të Greqisë, ose atë jugore të Shqipërisë problemi themelor qëndron me shelfin continental dhe zonat ekskluzive ekonomike në hapsirat detare, që kanë rëndësi te gjithanshme per të dy vëndet. Greqia, duket se e ka një projekt të sajin në këtë aspekt. Pala shqiptare, duket se nuk ka akoma një projekt te sajin për distancat detare, bazuar në rrethanat gjeografike, pozicionin gjeomorfologjik, të drejtën e deteve, vendimet e gjykatave për raste të vecanta, apo modelet e marrëveshjeve të firmosura midis shteteve kudo ne bote e sidomos ne Mesdhe.
Mesa jemi të infomuar prej 11 vitesh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të 2009 që hodhi poshtë marrëveshjen ndërqeveritare Shqipëri-Greqi për ndarjen e hapsirave detare, pala shqiptare nuk ka bërë asgjë në këtë ceshtje. Problemi po bëhet gjithnjë e më emergjent për përcaktimin e të gjitha hapësirave detare, ujrat territoriale, shef kontinental dhe zonën ekonomike eskluzive. Padyshim që jemi shumë të vonuar. Parë në këtë këndvështrim, nisma diplomatike e Greqisë është pozitive pasi me zgjidhjet e këtij problemi madhor krijohen kushte për shkarkimin e tensioneve midis dy vendeve dhe u hapet rruga mundësive për shfrytëzimin e resurseve ekonomike. Në projektin Grek duket që synohet për të implementuar një lloj precedenti për t’u dhënë efekt të plotë të gjithë ishujve midis Shqiperise dhe Greqise. Natyrisht kjo është në kundërshtim të plotë me normat e së Drejtës ndërkombëtare te Deteve.
Bazuar në të drejtën e deteve për ndarjen e hapësirave detare, kemi dy parime të rëndësishme që lypet të udheheqin negociatat Shqiptaro-Greke: se pari, parimin e ekuidistancës, pra të barazdistancës në cdo aspekt dhe, së dyti, parimin e ekitesë, pra të barazisë dhe ndershmërisë në kushte e rrethanat gjoegrafike dhe gjeomorfologjike të hapsirave që ndahen midis shteteve. Keto dy parime nuk perplasen midis tyre, por janë në funksion dhe në plotësim të njëri tjetrit. Na rastet ku ekiteja, pra barazia dhe ndershmëria mes palëve garantohet ose perfshihet përmes ekuidistancës, athere zbatohet ekuidistanca. Aty ku, për kushte gjeografike dhe gjeomorfologjike specifike krijohet pabarazi, pandershmeri dhe padrejtësi, sigurisht që duhet të korrigjohet. Eshte kjo arsyeja që parimi i ekitesë konsiderohet si drejtësi korrektuese, duke përbërë kështu zgjidhje, permes së cilës shtetet përfitojnë në mënyrë të barabartë. E Drejta ndërkombëtare e sanksionon këtë në Nenin 74 i Konventës mbi të Drejtën e Detit kur bëhet fjalë për zonat ekonomike ekskluzive; në Nenin 83 kur bëhet fjalë për shelfin kontental; në Nenin 15 kur flitet për ujërat territoriale. Kur theksohet ‘parimi i rrethanave te vecanta’ behet fjale pikërisht për parimin e ekitesë.
Krahas parimeve të së drejtës së deteve, cdo shtete kur negocion për ndarje hapsirash detare me shtete fqinjë lypet të marrë parasyshë edhe vendimet e gjykatës ndërkombëtare, të cilat fitojnë vlerën e të drejtës ndërkombëtare të deteve. Kështu kemi rastin në Kanalin Britanik, në vitin 1977 midis Francës dhe Britanisë, ku gjykata i ka dhene ishujve midis dy shteteve efekt i pjesshëm, duke ndjekur parimin e ekitese. Në rastin e Detit te Veriut midis Danimarkës, Hollandës dhe Gjermanisë, e bregdeti konkav qe nuk i krijonte fare mundësi Gjermanisë që të kishte shelf kontinental, Gjykata ndoqi ekuidistancën e gërshetuar me parimin e ekitesë. Në Detin e Zi, në rastin midis Rumanisë me Ukrainës, ishulli i Gjarprit, për shkak të vogëlsisë, u mor në konsideratë nga Gjykata me një efekt shumë të pjesshëm, sepse krijonte një disproprocionalitet midis dy vendeve. Në rastin e ishujve Seal, në konfliktin mes SHBA-ve dhe Kanadasë, gjykata i dha efekte pjesore sepse krijonte pabarazi, pra dha vendim te bazuar te parimi i ekitesë, te ndarja e barabartë dhe e ndershme mes paleve.
Në rastet e zgjidhjeve në Mesdhe, Greqia ka konkluduar marrëveshjet me Egjiptin, Italinë dhe Libinë bazuar ne parimin e efekteve të plota, pra parimin e ekuidistancës dhe jo të ekitesë. Ne te tre rastet Mesdhetare situata paraqitet krejtësisht e ndryshme, pa ngjashmeri me situatën gjeografike dhe gjeomorfologjike ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, ku ishujt janë pranë dhe ndikimi është shumë i madh.
Diplomacia Greke ka vepruar me kreativitet. Në rastin e Egjiptit, përmendet parimi i ekuidistancës dhe jo i ekitesë, per vetë pozicionin detar mes dy shteteve që krijon mundësinë që brënda parimit të ekuidistancës të zbatohet ekiteja. Pra hapsira është ndarë në mënyrë jo të barabartë, duke i dhënë efekt të plotë ishujve, por është tentuar të barazohet deri në maksimum. Pasi ka një disbalancë të vogël, duke përdorur efektin e plotë të ishujve, sepse bëhet fjalë për ishuj si Kreta te medhjenj e te banuar. Ndërsa Egjipti bazuar në parimin e ekuidistancës realizon dhe mdaje tejkalon të gjitha të drejtat e tij. Me Libinë, Greqia bazuar ne ekuidistancë, zbaton njëkohësisht dhe parimin e ekitesë, duke marre praktikisht më shumë se sa Greqia. Ndërkohë, ndryshe nga rastet me Egjiptin e Libine, me Turqinë, Greqia duket se synon të ndjekë parime krejt të tjera, Turqia i kundërshton. Në rastin me Italinë marreveshja është bërë, por nuk është marrëveshje përfundimtare për ndarjen e Zonës Ekonomike Ekskluzive, po thjeshte është shprehje vullneti për të zbatuar normat e të Drejtës ndërkombëtare dhe barazinë mes shteteve për ndarjen e Zonës Ekonomike Ekskluzive.
Në rastin e zgjidhjes Greqi-Itali, se pari, marreveshja ka lënë te hapur çështjen e përcaktimit përfundimtar të kufirit, duke u shprehur që ‘kufiri do përcaktohet qartësisht kur të kemi dhe rezultatet e kërkimit për hidrokarburet dhe disa zona që ndajnë mes tyre. Së dyti, palet kanë negociuar dhe është realizuar mbrojtja e interesave italiane për peshkimin ne Adriatik dhe Jon. Së treti, palët kanë dhe një marrëveshje tjetër për ndarjen e Shelfit kontinental, përpara së të hynte në fuqi Konventa e Tretë mbi të Drejtën e Detit, në të cilën të dy vëndet kanë zbatuar parimin e ekitesë. Të dy ishujt, Othonoi dhe Ericusa u konsideruan në funksion të parimit të ekitesë, pra me efekt pjeseshem. Marreveshja Italo-Greke konsiderohet si model qe shpreh vullnetin politik të palëve për të bashkëpunuar dhe shfrytëzuar bashkërisht Zonën Ekonomike Ekskluzive. Natyrisht për këtë ka ndikuar projekti i madh i furnizimit Mesdhetar me gaz në linjën Izrael-Qipro-Greqi-Itali. Project që imponon dhe një bashkëpunim më të ngushtë shumepalesh ne Mesdhe.
Sic shihet në marrëveshjet e Medheut, në të tre rastet, nuk kemi injorim të parimit të ekitesë, por nëpërmjet parimit të ekuidistancës, njëkohësisht garantohet dhe parimi i ekitesë, që siguron proporcionin e drejtë mes palëve. Parimi ekitese zbatohet aty ku ka konflikte. Në parimin e ekitesë efektin më të madh, që e bënë të domosdoshëm, e kanë ishujt. Në ishujt kanë shumë rëndësi përmasat e tyre dhe nese janë të banuar, të pabanuar apo masa shkëmbore. Parimisht dhe praktikisht masave shkëmbore, të vogla dhe të pabanuara nuk mund t’i jepet efekt në ndarjen e hapsirave detare, siç ka ndodhur në rastin e masës shkëmbore tejet të vogël dhe të pabanuar të Barketës në rastin midis Shqiperise dhe Greqisë.
Në përgatitjen e projektit të Shqipërisë për negociatat me Greqinë është e domodoshme që të konsiderohet edhe Vendimi i Gjukatës Kushtetuese të RSh, i vitit 2009. Ky vendim i qartë jep parimet, por edhe metodologjine që nevojitet të ndiqet nga pala e Shqipërisë në procesin e negociatave me Greqinë, sidomos lidhur me efektin e ishujve në këtë proces. Të dyja, teoria dhe praktika e së Drejtës ndërkombëtare, vendimet e rasteve te ndryshme të gjykatës ndërkombëtare dhe modelet e zgjidhjeve në Mesdhe japin qartësisht se parimi i ekitese shërben si drejtësi korrektuese në kushte specifike dhe në këto raste, nga elementët themelor që jane ishujt nga buron efekti që u jepet atyre në këto zgjidhje. Ishujt nuk mund të kenë efekte të njëjta dhe të plota në cdo rast. Ishujt marrin efekt të plotë kur janë të tille dhe ndodhen në hapsira të atilla që nuk prekin interesat e të tjerëve dhe garantojne barazinë dhe ndershmerine e zgjidhjeve.
E fundit, por jo nga rendesia, negociatat Shqipëri-Greqi nuk janë në kohën e duhur për tre arsye. Së pari, Shqipëria është përpara zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, rrethana të cilat nuk favorizojne një marrëveshje ndërkombëtare të cfaredo lloji. Së dyti, Presidenti Meta ka shfaqur kontestimet e tij serioze dhe të përsëritura lidhur me mosinformimin e tij nga Qeveria për ecurinë e deritanishme të procesit të negociatave Shqipëri-Greqi dhe ka hezituar për plotfiqishmërinë e palës shqiptare në këto negociata. Së treti, Shqipëria aktualisht ndodhet pa Gjykatë Kushtetuese, institucion që është i përfshirë konstitucionalisht në këtë proces. Në këto rrethana vizita e kryediplomatiti Grek, Dendias në Shqipëri është e mirëpritur, por efektet konkrete të saj, së paku lidhur me marrëveshjen Shqipëri-Greqi për ndarjen e hapsirave detare midis tyre, duket se nuk do të ketë efekte konkrete.